E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta prezanton programin e LSI-së në Durrës: “Do të ndërtojmë portin më të fuqishëm në Ballkan”



Lëvizja Socialiste për Integrim vijoi prezantimin e Planit për Veprim, që është një përmbledhje e programit elektoral dhe qeverisës të LSI-së, në një takim të zhvilluar në qytetin e Durrësit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë në këtë rreth, Lefter Koka, Artur Zheji etj., evidentuan prioritetet e programit të LSI-së që do të garantojnë një të ardhme më të mirë jo vetëm për durrsakët, por për të gjithë shqiptarët. Meta garantoi se pas fitores më 28 qershor, LSI-ja do të realizojë heqjen e vizave brenda rajonit deri në fund të vitit 2009 dhe do të realizojë lëvizjen e lirë në BE brenda një viti. Ai tha gjithashtu se qeverisja e LSI-së synon që të ndërtojë në Durrës portin më të madh dhe më të fuqishëm në Ballkan. “Për fat të mirë po përfundon një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Kosovën, por në përgjithësi për rajonin e Ballkanin, rruga që lidh Durrësin me Kukësin dhe me Kosovën, për fat të keq nuk është bërë asgjë për të rritur kapacitet përpunuese të Portit të Durrësit. Nuk është bërë asgjë për ta vënë këtë port shumë të rëndësishëm në shfrytëzim të plotë që t’i përgjigjet një fluksi të madh, të transportit të mallrave nga Shqipëria në Kosovë, por dhe në Serbinë Jugore në të gjithë këtë korridor të ri të Ballkanit. Ndaj, dy prioritet e veçanta të LSI-së për Durrësin janë, së pari, dyfishimi i kapaciteteve përpunuese brenda 4 viteve të ardhshme të portit të Durrësit që të kthehet në një nga portet në të fuqishme të Ballkanit dhe, së dyti, krijimi dhe ndërtimi i një porti të ri peshkimi”, - tha Meta. Ai theksoi se në thelb të programit të LSI-së qëndron punësimi i shqiptarëve. “Programi i LSI-së nga fillimi deri në fund ka një bosht, ka një themel dhe ka një kryeprioritet, që është punësimi. Punësimi është i domosdoshëm jo vetëm si një zgjidhje sociale, por është i domosdoshëm për rritjen ekonomike të vendit, për progresin ekonomik dhe social, është një domosdoshmëri për të zhvilluar të gjithë ato degë të cilat kanë mundësi të jenë produktive dhe konkurruese duke u zhvilluar dhe duke investuar në to”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

16 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›