Kajt: “Botërori ngjyroset portokalli”
Sulmuesi i Liverpulit, Dirk Kajt, është i bindur se ecuria perfekte e Holandës në kualifikuese do të vazhdojnë dhe në finalet e Kupës së Botës. Holandezi është i bindur se pas fitores bindëse në miqësoren kundër Ganës, “Oranje” do të dëshmojnë potencialin e tyre dhe do të fitojnë Kupën e Botës. “Në turnetë e fundit Holanda ka luajtur gjithmonë shumë mirë dhe është mundur vetëm nga Rusia në një ditë të errët”, - tha Kajt për “LFC Ëeekly”. “Unë mendoj se kemi shumë cilësi në ekip. Shumë nga lojtarët kanë luajtur për një kohë të gjatë së bashku dhe tani është koha që ekipi holandez ta shfrytëzojë këtë eksperiencë dhe të bëjë diçka më shumë se sa ka treguar në turnetë e fundit. “Ne fituam çdo ndeshje në kualifikuese, çka është shumë pozitive. Ne jemi të pathyeshëm qysh kur Bert van Marvijk erdhi në detyrën e trajnerit”.
Portierët, të gjithë kundër... topit
Portieri i Anglisë, Dejvid Xhejms, u bashkua me zërin e shumë lojtarëve që kanë pretendime ndaj topave që do të përdoren në Kampionatin Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut. Disa mendojnë se topi cilësia e topit nuk ka standardin e duhur, disa rreth peshës së sferës, aq sa mendojnë se topi zyrtar duhet të braktiset vetëm pak ditë nga fillimi zyrtar i mega-aktivitetit.
Xhejms tha për mediat: “Topi është i frikshëm, të fut tmerrin, kjo është për të gjithë. Është shumë e vështirë ta kapësh, duhet të kesh shumë praktikë me të”. Shumë ekipe pjesëmarrëse në Botëror kanë shprehur shqetësimin në lidhje me dridhjen e pabesueshme dhe flurudhën në lëvizje që merr trajektorja e tij.
Me zërat kundër sferës “Jabulani” të prodhuar nga Adidas janë bashkuar portierë të klasit botëror si italiani Xhanluixhi Bufon, braziliani Hulio Sezar dhe spanjolli Iker Kasijas. Në fakt, ndeshjet e Kampionatit Botëror 2010 do të zhvillohen në kushte shumë të ndryshme të motit. Nëse ndeshja do të zhvillohet pranë detit, topi vepron ndryshe në raport me takimet që do të zhvillohen në brendësi të vendit. Lartësia mbi nivelin e detit, shiu dhe bari i fushave do ta shtojnë më shumë dramën për portierët.
37 legjionarë të Primeras në Botëror
Prezenca gjithmonë në rritje e futbollit portugez në Spanjë është shumëfishuar me praninë e Hoze Murinjos te Reali i Madridit, por Primera Divizion paraqitet e fuqishme edhe në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut. Janë gjashtë lojtarë portugezë që militojnë në Spanjë: Kristiano Ronaldo, Pepe, Simao, Miguel, Duda dhe Tiago, “ambasadorët” të cilët aktivizohen në La Liga dhe kanë numrin më të madh legjionarëve në Kupën e Botës. Në vend të dytë është Brazili me katër përfaqësues: Kaka, Alves, Luis Fabiano dhe Nilmar. Me tre “spanjollë” figurojnë Argjentina (Mesi, Higuain, Aguero), Franca (Skilaçi, Abidal dhe Henri), Bregu i Fildishtë (Ture, Zokora dhe Romaris) dhe Kameruni (Kameni, Uebo dhe Emanja). Nga dy lojtarë kanë Meksika (Markez dhe Guardado), Uruguai (Forlan dhe Godin), Kili (Bravo dhe Suazo), Nigeria (Obina dhe Kalu Uche) dhe Gana (Boateng dhe Mensah). Nga një lojtar kanë Holanda (Van der Vart), Dinamarka (Mtiliga), Paraguai (Vijar) dhe Serbia (Obradovic). Në total, Liga spanjolle përfaqësohet me 37 legjionarë të cilët militojnë në 16 skuadra nga 31 ekipe kombëtare që marrin pjesë në Botëror, duke përjashtuar përfaqësuesen e Spanjës.
Murinjo nis sulmin ndaj Barçës
Trajneri i Realit të Madridit, Hoze Murinjo, pas më pak se 48 orësh në bankinë madrilene gjeti rastin për të fituar besimin e tifozëve “merengues”. “Special One”: “Eliminimi i Barçës më dha më shumë emocione se fitimi i Ligës së Kampioneve”. Murinjo për largimin nga Italia: “Tre muaj më parë u binda se futbolli italian nuk ishte për mua dhe pas dy vjetësh vendosa të ndryshoj ajër”. Për Realin e Madridit: “Është një klub i madh. Nuk më pëlqen të vazhdoj të punoj për një projekt, preferoj ndërtimin e një ëndrre të re”.
“Portugezi” Deko: “Brazili është favorit”
Mesfushori i Çelsit, Deko, këmbënguli se vendi i tij i lindjes, Brazili, do të jetë favorit kur të ndeshet me Portugalinë në Kupën e Botës. Deko, 32 vjeç, ka koleksionuar 71 ndeshje për vendin e tij të adoptuar, qysh kur vendosi të luajë për formacionin e Karlos Keiroz në vitin 2003. Portugali dhe Braili do të takohen ën Afrikën e Jugut në të ashtuquajturin “grup i vdekjes”, ku bëjnë pjesë edhe Bregu i Fildishtë dhe Koreja e Veriut. Duke folur për faqen zyrtare të Çelsit, mesfushori sulmues – i cili pritet të lëvizë te Fluminense këtë verë - pranoi se përballja do të ketë një kuptim ekstra për atë.
“Nuk është e vështirë të luash kundër Brazilit, por është diçka ndryshe”, - tha Deko. “Natyrisht është vendim im dhe kjo është diçka speciale. Kjo është hera e parë që unë luaj kundër tyre në Kupën e Botës, por unë kam luajtur disa miqësore më parë. Shumë nga familjarët e mi janë duke më mbështetur mua, ata janë në Brazil, jetojnë në Brazil, por ata do të më mbështesin mua. Por, sigurisht Brazili është favorit kundër nesh. Një vend që ka fituar pesë herë Kupën e Botës do të jetë gjithmonë favorit”.
3 Qershor 2010