Edhe për misrin shterpë faji mbetet jetim
Janë disa zonat e vendit dhe me qindra fermerët të cilët u prekën ditët e fundit nga “Gërdeci” i radhës që kësaj here ndodhi në bujqësi. Farat shterpë të një misri, që duket se kishte vendosur të mos mbinte, kanë pasur këto ditë edhe një përgjegjësi po shterpë. Po, po, e tillë ka qenë përgjegjësia për këtë skandal të radhës, që sabotoi ekonominë e brishtë të qindra familjeve fshatare në disa zona të vendit. Por, nga ana e saj, Ministria e Bujqësisë dhe kreu i saj, Jemin Gjana, janë munduar gjithsesi që të gjejnë një përgjegjës. Pa e vrarë shumë mendjen dhe pa u munduar gjatë, ata kanë bërë përgjegjës vetë fshatarët, të cilët edhe mund të mos kenë ditur ta mbjellin farën, ta plehërojnë, apo ta vaditin atë. Po ta mendosh në fakt, për këtë të fundit nuk kanë edhe shumë faj, se fundja ujë nuk ka aq kollaj për vaditjen e tokave. E megjithatë, edhe pse kanë protestuar fermerët e Gramshit, Peqinit, Fierit, Matit, Elbasanit dhe Dibrës, përsëri kanë mbetur me gisht në gojë. Jo vetëm që misri i la pa asnjë kokërr, por as firma që ua shiti nuk mban asnjë përgjegjësi, edhe pse pranon që kishte fara shterpë, por dhe as ministri i Bujqësisë nuk do t’ia dijë. Ky i fundit është mjaftuar duke thënë se do të veprojë ndaj firmës vetëm nëse konstatohet nga analizat se fara e shitur ishte shterpë. Mirë, mirë, po kush do t’i bëjë analizat...? Kush do ta japë përgjigjen për fermerët...? Kur do të bëhet dëmshpërblimi nëse fajin e kishte fara dhe si do të ndëshkohet firma tregtuese e licencuar që më 1993-shin? Për të gjitha këto mbetet vetëm të presim, në një kohë që fermerët kishin marrë edhe kredi për të blerë farën dhe për të punuar tokën. Po kështu, askush nuk e di që i gjithë investimi i tyre dhe bashkë me të edhe mundi ishte hedhur pikërisht për ata kallinj që nuk qenë asnjëherë plot. Por mund të ketë një zgjidhje. Të gjitha zonat në të cilat është verifikuar i njëjti fenomen prej së njëjtës firmë, janë jo pak dhe po ashtu dhe familjet e prekura nga ky dëmtim (i qëllimshëm apo jo, nuk e dimë). Që të gjithë fermerët e dëmtuar mund t’i drejtohen të paktën gjykatës me nga një kallëzim penal për çdo zonë në lidhje me firmën që u shiti fara shterpë. Të paktën le të jetë drejtësia ajo që mund të merret me këtë çështje, pasi provat kanë mbetur arave akoma në këmbë. Nga ana tjetër për bazë duhet marrë edhe fakti që firma “Agro-Blend” nga ana e saj, ka pranuar se nga 200 tonë gjithsej farë misri e importuar nga Franca, 10 tonë ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit.
E. K
4 Shtator 2008