E Diel, 1 Nëntor 2026

Farat shterpë, fermerët fajësohen për blerjen nga ministri i Bujqësisë



Ministria e Bujqësisë, në reagimin e saj të radhës për skandalin e farës së misrit në disa zona të vendit, nuk ka nguruar që të fajësojë edhe fermerët vendas për pakujdesinë e treguar në blerjen e farërave bujqësore. Si të mos mjaftonte skandali me farën e misrit e cila prodhonte vetëm kallinj bosh, si dhe firma që i tregtonte e licencuar nga Ministria e Bujqësisë, krerët e MBUMK-së, kanë fajësuar edhe fermerët për pakujdesinë. Sipas MBUMK-së, “në mjaftë raste janë vetë fermerët të cilët i sjellin farat bujqësore nga jashtë në rrugë private për të siguruar rendimente të larta, por pa njohur kushtet e tokës ku i kultivojnë”. Sipas ministrit të Bujqësisë, Gjana, gjatë një konference shtypi të dy ditëve më parë, “janë në shumë raste fermerët që fusin nga jashtë jo vetëm fara por edhe plehra kimike dhe pesticide, si dhe makineri dhe agregate, dhe kur ata nuk u punojnë apo japin rezultatet e pritura fajësojnë shtetin”. Më tej ministri Gjana saktësoi në lidhje me skandalin e fundit se MBUMK-ja, do ta realizojë dëmshpërblimin e fshatarëve dhe do të marrë përgjegjësitë e saj vetëm pasi të bëhen analizat dhe të merren rezultat e para të tyre në lidhje me farën e përdorur. Pas skandalit të farës së misrit shterpë në Mat, Gramsh dhe Peqin ku fermerët korrën vetëm kallinj misri bosh, problemi ka nisur që të shfaqet edhe në rajone të tjera bujqësore të vendit si në Fier dhe Elbasan. Por për ministrin e Bujqësisë, Gjana, ky fakt është vetëm një incident dhe se dëmshpërblimi i fermerëve është vetëm një “opsion”. Sipas kreut të dikasterit të Bujqësisë, firma “Agro-Blend” është një ndër kompanitë kryesore në vend dhe është licencuar që në 1993. “Specialistë të bujqësisë kanë bërë kontroll në ambientet e kësaj firme dhe ka rezultuar se firma ka kushte të mira”,- ka dalë në mbrojtje të saj ministri Gjana. Ai ka sqaruar gjithashtu dhe hartën e zonave të cilat janë prekur më shumë nga ky skandal. Sipas tij zonat më të prekura janë Mati, Gramshi dhe më pak Peqini dhe Pajova. Por pasi skandali u bë publik dy ditë më parë kur fermerë të komunës së Pajovës protestuan pasi dhjetëra ha të mbjella me misër nuk kishin dhënë prodhim, por vetëm masë vegjetative, fenomeni ka nisur shtrirjen e tij më të gjerë. Pas rastit të përsëritur edhe në Fier, tani, sipas specialistëve dhe agronomëve, priten edhe zona të tjera, pasi firma që i tregtonte farat kishte filiale në shumë rrethe të vendit. Fermerët kanë deklaruar ndërkohë se kishin shpenzuar miliona lekë për mbjelljen dhe punimin e tokës. Si farës, ashtu dhe bimës i ishin bërë të gjitha shërbimet, por sërish nuk ka patur prodhim. Fermerët fajësuan farën, e cila sipas tyre ishte jashtë standardeve dhe pranojnë se e kishin blerë nga firma shpërndarëse “Agro-Blend”. Firma, nga ana e saj, ka pranuar se 10 tonë farë misri nga 200 tonë gjithsej, të importuar nga Franca, ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit.
E.K

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›