Gjobat për bizneset që shkelin rregullat e përcaktuara nga Bashkia
Emanuela Sako
Bizneset duhet t’u nënshtrohen një sërë rregullave që janë miratuar pak kohë më parë nga Këshilli Bashkiak. Rregullat e reja kanë të bëjnë me mbajtjen pastër të ambientit dhe kushtet e sigurisë në punë. Përgjegjësi në zbatimin e punës kanë edhe shoferët e makinave të tonazhit të rëndë, që transportojnë materiale apo inerte. Këto makina duhet të plotësojnë kushtet e larta të sigurisë gjatë kalimit në rrugë. Për këtë çështje, pak kohë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar gjoba të reja për të ndëshkuar firmat e ndërtimit për ndotje të ambientit. Sipas këtij vendimi shpjegohet se duke marrë shkas nga ndotjet e mëdha që janë shkaktuar nga shoqëritë e ndërtimit, Këshilli Bashkiak i Tiranës, ka vendosur një numër penalizimesh, ku parashikohen të gjitha rastet e shkeljes dhe masën e penalizimit me gjobë. Kjo masë e marrë u bë për efekt se kryeqyteti është në ndërtim dhe mjaft shoqëri ndërtimesh nuk zbatojnë kushtet e kryerjes së punimeve. Për këto arsye qytetarët janë ndeshur me ndotje të rrugëve me baltë nga makinat e tonazhit të rëndë që dalin nga kantieret e ndërtimit në rrugët kryesore. Po kështu, në shumicën e rasteve, në kantieret e ndërtimit mungon rrethimi provizor, pompa e ujit brenda kantierit, tubat e posaçëm, të cilat ndihmojnë në zbritjen e mbeturinave të ndryshme, mbulesa e përkatëse e makinave të rënda që transportojnë etj.
Zbatimi
Në shumicën e rasteve firmat e ndërtimit nuk i zbatojnë rregullat e përcaktuara dhe detyrimisht ndotja e rrugëve ndodh vazhdimisht. Po të vëresh në rrugët e kryeqytetit makinat e tonazhit të rëndë që mbartin materiale apo inerte nuk i lajnë gomat, pasi dalin nga kantieri i ndërtimit që mund të jetë i ndotur apo me baltë. Por, në disa raste ndeshesh edhe me makina të mëdha, të cilat nuk kanë vendosur mbulesën e sipërme për të mbajtur rërën apo zhavorrin që të mos bjerë në tokë, gjatë transportit. Për këto arsye, Bashkia e Tiranës ka marrë një vendim ku parashikohen masa administrative, ku janë përcaktuar qartë detyrat e shoqërive të ndërtimit dhe çdo rregull i pazbatuar do të ketë penalitet përkatës. Minimumi i masës penalizuese me gjobë është 10 mijë lekë.
Detyrat
Për të kryer penalizimet dhe inspektimet pranë çdo bashkie dhe komune të vendit, ngrihet inspektorati ndërtimor dhe urbanistik. Inspektorët ushtrojnë kontrollet dhe zbatojnë ligjin në zbatim të standardeve teknike në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës brenda territorit administrativ. Inspektorati ndërtimor dhe urbanistik vendor në bazë të planit të punës verifikon dosjen e dokumentacionit teknik ligjor dhe zbatimin e planit të organizimit të punimeve në objekt. Në rast të shkeljeve administrative, mbi bazë të situatës autoritet marrin masat administrative të përcaktuara me ligj.
Shkeljet
Për mospajisjen me mjete funksionale (pompa uji, lavazhe) në dalje të kantierit të ndërtimit, të cilat shërbejnë për larjen e gomave të makinave, si dhe të gjitha pjesëve të jashtme të automjeteve, të cilat shkaktojnë ndotje të mjedisit.
Sanksionet
10 mijë lekë
20 mijë lekë (në mënyrë të përsëritur)
Shkeljet
Për ndotjen e mjedisit për shkak të moslarjes së gomave të makinave të tonazheve të ndryshme, të cilat dalin nga kantieri i ndërtimit
Sanksionet
10 mijë lekë
20 mijë lekë (në mënyrë të përsëritur)
Shkeljet
Për mos vendosjen e rrethimit provizor sipas planit të organizimit të punimeve, përreth territorit të kantierit të ndërtimit.
Sanksionet
10 mijë lekë
20 mijë lekë (në mënyrë të përsëritur)
Shkeljet
Për mosmbajtje në gjendje të pastër të ambientit jashtë rrethimit të kantierit të ndërtimit, të hapësirës së gjelbër dhe publike, me qëllim evitimin nga ndotjet ndërtimore të hapësirës publike
Sanksionet
10 mijë lekë/m katror
50 mijë lekë/m katror
Shkeljet
Për rastet kur kamionët të cilët transportojnë materiale ndërtimore nuk janë të mbuluar dhe që krijojnë ndotjen e hapësirave publike, gjatë transportimit
Sanksionet
10 mijë lekë
Shkeljet
Për mospastrim brenda territorit të kantierit të ndërtimit, pas përfundimit të procesit të hedhjes së betonit në objekt, të pajisjes të betoniereve, të cilat shkaktojnë ndotje të hapësirës publike
Sanksionet
10 mijë lekë
20 mijë lekë (në mënyrë të përsëritur)
Shkeljet
Për rastet kur betonieret e papastruara janë në lëvizje në hapësirat publike dhe si pasojë sjellin ndotjen e hapësirës publike jashtë territorit të kantierit të ndërtimit
Sanksionet
10 mijë lekë
Shkeljet
Mosrespektimi i kushteve brenda kantierit të ndërtimit, për zbritjen e mbeturinave ndërtimore nëpërmjet vendosjes së tubave të posaçëm nga katet e mësipërme, duke u hedhur më pas në kontejnerin e grumbullimit të mbeturinave ndërtimore
Sanksionet
10 mijë lekë
20 mijë lekë (në mënyrë të përsëritur)
Shkeljet
Për mosvendosjen e rrjetave mbrojtëse në objekt për evitimin e ndotjes nga pluhurat në mjedis dhe respektimin e sigurisë teknike në objekt
Sanksionet
10 mijë lekë
20 mijë lekë (në mënyrë të përsëritur)
4 Shtator 2008