Nikolla: “Pesticidet shkova dhe i bleva vetë në Vorë”
Gjovalin Nikolla, pronar i një parcele me sipërfaqe prej tre hektarësh të mbjella me mollë në Lugaj të Tropojës, gjatë një interviste me gazetën ka shpjeguar atë që ka ndodhur dhe gjithë itinerarin e degradimit të sipërfaqes me mollë dhe dëmit financiar që i është shkaktuar.
Zoti Nikolla, çfarë ka ndodhur me parcelën tuaj bujqësore?
Jam pronar i një parcele bujqësore prej tre hektarësh në Lugaj të Tropojës e mbjellë me mollë. Dua të them se e gjithë sasia është dëmtuar dhe ka dalë jashtë përdorimit si pasojë e degradimit që kanë shkaktuar pesticidet dhe fungicidet që kam blerë. Kjo ka lidhje dhe me skandalin e misrit pasi dhe lënda që kam blerë unë është blerë në të njëjtën firmë që ka shpërndarë dhe farën e misrit, te “Agro-Blend” në Vorë.
Kur i keni blerë pesticidet?
Janë blerë në pranverë. Diku te katër-pesë muaj më parë. Erdha vetë në Vorë, te selia kryesore e firmës dhe bleva sasinë e pesticideve dhe fungicideve që më nevojitej. Pasi u bëra të gjitha shërbimet dhe pasi pashë dhe mënyrë e degradimit të këtyre mollëve, s’ka dyshim se është shkaktuar nga pamundësia e këtyre lëndëve për të bërë efektin e tyre. Ato rezultuan të skaduara dhe ekziston rreziku që këto lëndë jo vetëm që nuk kanë mbrojtur prodhimin, por mund të kenë ndikuar në degradimin e mëtejshëm të tij, si pasojë e skadencës së tyre.
Si mendoni, ky mund të jetë një rast i izoluar?
Nuk mund të ketë dyshime se ishte skadenca e pesticideve ajo që shkaktoi këtë dëm te unë. Por nga sa e njoh terrenin, edhe një pjesë e mirë e pronarëve të tjerë që investojnë në pemëtari, kanë blerë pesticidet tek e njëjta firmë, kështu që me shumë mundësi dëmi mund të përshkallëzohet.
4 Shtator 2008