E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe shtatë të tjerë

Gjashtë kosovarë dhe një ndërkombëtar të enjten janë konfirmuar të jenë sëmurë nga gripi i derrave. Ky rezultat është dhënë në orët e vona të së enjtes, pas kryerjes së analizave të 40 mostrave të marra nga pacientët e dyshuar të jenë prekur nga gripi i derrave.

Sipas raportit të ditës së enjte të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë evidentuar deri tash 221 raste të dyshimta me Gripin A H1N1, prej të cilave pozitive kanë rezultuar 75 raste.

Ndërkohë, për të përballuar më lehtë valën e gripit të derrit, i cili tashmë ka filluar të përhapet edhe në Kosovë, Turqia ka dhuruar 5 mijë doza të vaksinës kundër këtij gripi.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë lajmëruar se këto vaksina janë dërguar të enjten (dje) në ambasadën e Kosovës në Ankara të Turqisë, kurse ditëve në vijim ato do të sillen në Kosovë. Bëhet e ditur se këto vaksina të dhuruara, Turqia i ka ndarë nga kontingjenti i vaksinave që ka blerë për qytetarët e saj.

Ky donacion i Republikës së Turqisë për Kosovën ka një rëndësi të veçantë, pasi vaksinat e ndara për Kosovën janë pjesë e kontingjentit që Turqia i ka blerë për qytetarët e saj. Ne shprehim falënderim të veçantë Republikës së Turqisë për këtë përkrahje, ndërkohë që zotohemi se bashkëpunimi ndërshtetëror në fushën e shëndetësisë midis dy shteteve do të vjen duke u thelluar, tha zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka siguruar doza të mjaftuara për këtë fazë të medikamentit Tamiflu, i cili rekomandohet të jepet ekskluzivisht me përshkrim të infektologëve.

Po ashtu, është pohuar se edhe institucionet private shëndetësore të kenë mundësi, që sipas protokolleve të mjekimit, të japin këtë ilaç dhe vaksinat kundër gripit të ri.

Zëdhënësi Faik Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë po ashtu po zbaton të gjitha masat parandaluese kundër gripit të ri pandemik A H1N1 dhe gripit sezonal. Me synim mbrojtjen e popullatës dhe ngritjen e nivelit të imunizimit, kjo ministri bën të ditur se ka ngritur edhe numrin e vaksinave kundër gripit sezonal nga 12 mijë sa ishin më 2008 në 20 mijë sivjet.

Pas shpërndarjes së këtyre vaksinave, Hoti njoftoi se do të blejë edhe 20 000 vaksina të tjera kundër gripit sezonal.

Ministria vlerëson se shtimi i rasteve të reja si të gripit sezonal, ashtu edhe të gripit nga virusi A H1N1, ka qenë i parashikuar për sezonin vjeshtë-dimër, prandaj u bëhet sërish thirrje qytetarëve që të tregohen vigjilentë dhe të lajmërohen menjëherë te mjeku familjar sapo të vërejnë shenja të dyshimta të gripit.

Vonesat në paraqitje te mjeku me kohë e bëjnë diskutabil mjekimin e drejtë të infektuarve. Vlerësojmë se situata është nën kontroll, por qytetarët kanë nevojë të tregojnë kujdes të shtuar dhe pjekuri në zbatimin e masave, të cilat institucionet po i ndërmarrin dhe i rekomandojnë me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, tha zëdhënësi Hoti.

Ndërkohë, sot (e premte) do të mblidhet grupi punues për menaxhimin e pandemisë për të vlerësuar situatën aktuale dhe masat e ndërmarra dhe për të përcaktuar objektivat e ditëve të ardhshme me qëllim të menaxhimit sa më të drejtë të situatës.

Telekonferencë lidhur me gripin A H1N1

Organizuar nga Banka Botërore, të enjten në Prishtinë, është mbajtur një trajnim në formën e telekonferencës me temën Komunikimi dhe zvogëlimi i rrezikut në situatën e pandemisë së Gripit A H1N1.

Ky ishte sesioni i katërt i radhës i Bankës Botërore kushtuar përgjigjes ndaj pandemisë së virusit A H1N1 për vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Në këtë telekonferencë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore të Kosovës, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it dhe të Bankës Botërore, ekspertë të kësaj të fundit për strategji të komunikimit nga vende të ndryshme i kanë shpjeguar format më të mira të komunikimit në situata të rrezikut të lartë dhe të pandemisë së gripit AH1N1.

Me hudhra dhe qepë kundër gripit
Moldavia ka filluar të ushqejë ushtarët e vet me hudhra dhe qepë për ti mbrojtur nga gripi A H1N1. Autoritetet e atjeshme thonë se çdo ushtari, bashkë me shujtën ditore, do ti jepen edhe 25 gramë qepë dhe 15 gramë hudhër. Besohet se qepa dhe hudhra shtojnë imunitetin. Zyrtarët ushtarakë në Moldavi kanë thënë se kjo masë është ndërmarrë pasi që gjatë javës së kaluar 24 ushtarë u sëmurën nga gripi i derrave.

Shqipëria në prag epidemie
Ndërthurja e virusit të gripit të derrit me atë stinor dhe shtimi i rasteve e kanë vënë sistemin shëndetësor në Shqipëri përballë një situate të gatishmërisë së veçantë.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u bëri thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të ndjekin më kujdes këshillat mjekësore, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e mbylljes së shkollave në kuadër të masave parandaluese.

Vaksina nuk është shkaktar i vdekjeve
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lajmëruar se hetimet e bëra lidhur me vdekjen e disa personave, pasi që kishin marrë vaksinën kundër gripit të derrave, kanë konfirmuar se kjo vaksinë nuk është shkaktar i vdekjeve.

Sipas të dhënave më të fundit, konfirmimi i 5 rasteve të reja e ka çuar në 129 numrin e të prekurve në Shqipëri nga gripi i derrit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›