E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe fëmijët e votuan Mustafën

Votuesit e së ardhmes kanë votuar ngjashëm me prindërit e tyre, por jo edhe krejtësisht njësoj, u tha sot në konferencën për gazetarë të mbajtur në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), ku u shpallën rezultatet e simulimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ky simulim është organizuar nga instituti KIPRED, në bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Arizonas nga SHBA-të, në qytetin e Prishtinës dhe komunën e Gjilanit, dhe ka përfshirë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të moshave 12 deri 17 vjeç.

Vullnetarët e Votuesve të së Ardhmes kanë prezentuar fakte nga procesi i simulimit dhe rezultatet finale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale. Ata kanë treguar për vizitat që i janë bërë vendvotimeve të Votuesve të së Ardhmes nga presidenti Fatmir Sejdiu, ambasadori amerikan Christopher Dell dhe zëvendësshefi i ICO-së, Fletcher Burton.

Andi Belegu, vullnetar nga shkolla fillore Dardania në Prishtinë, ka thënë se procesi i simulimit ka shkuar shumë mirë dhe se në simulim ka pasur më pak fletëvotime të parregullta, sesa që ka pasur në zgjedhjet lokale të organizuara në të njëjtën ditë.

Kemi pasë edhe disa raste jo fort të zakonshme. Një kuti tonën të votimit, një drejtor i një shkolle në Prishtinë ka vendosur ta dërgojë në KQZ, e jo në KIPRED, ku edhe ka qenë qendra jonë e numërimit. Në një shkollë tjetër, drejtoria e ka konfiskuar kutinë e votimit dhe ende nuk dihet për fatin e saj, ka thënë Andi, duke ironizuar.

Vullnetarët nga Prishtina e Gjilani kanë prezentuar rezultatet e këtij simulimi. Në Prishtinë kanë votuar gjithsej 3,521 nxënës, apo 19% të të gjithë nxënësve.

Rezultatet për kryetarë komune janë këto:

Isa Mustafa nga LDK ka marrë 59% të votave apo gjithsej 1,931 vota;
Vegim Gashi nga koalicioni AKR-LDD ka marrë 18.9% të votave apo gjithsej 618 vota; Astrit Salihu nga PDK ka marrë 14.8% të votave apo gjithsej 485 vota;
Besnik Tahiri nga AAK ka marrë 5.5% të votave ose gjithsejt 182 vota;
Kandidatët e partive të tjera kanë marrë 1.8% ose gjithsej 59 vota.

Për Kuvendin Komunal të Prishtinës, kanë votuar gjithsej 3,385 nxënës dhe rezultatet janë këto:

LDK ka marrë 53.9% apo 1,827 vota, PDK ka marrë 15% apo 506 vota, AKR ka marrë 15% apo 508 vota, AAK ka marrë 6.6% apo 223 vota, ndërsa partitë tjera 9.5% të votave.

Në Komunën e Gjilanit, për kryetar të komunës kanë votuar gjithsej 3,037 nxënës. Rezultatet janë këto:

Qemajl Mustafa nga PDK ka 41% apo 1,245 vota;
Fatmir Rexhepi nga LDK ka 25.8% apo 783 vota;
Ahmet Isufi nga AAK ka 13.9% apo 423 vota;
Omer Daku nga AKR ka 10.9% apo 330 vota
Kandidatët tjerë kane marrë 8.4% apo gjithsej 256 vota

Për Kuvendin Komunal të Gjilanit, kanë votuar 2,864 nxënës dhe rezultatet janë këto:

PDK ka 36.4% apo 1,043 vota, LDK ka 23.5% apo 672 vota, AAK ka 14.9% apo 428 vota, AKR ka 12.2% apo 349 vota dhe partitë tjera kanë marrë 13% apo 372 vota.

Votuesit e së Ardhmes është projekt edukativ që instituti KIPRED e zhvillon në bashkëpunim më Universitetin e Arizonas në SHBA. Projekti është i bazuar në Kids Voting USA projekt i ngjashëm që aplikohet në 40 shtete të SHBA-ve. Sivjet, në Kosovë, ky projekt përfshinë bashkëpunimin me 60 shkolla fillore dhe të mesme, për të cilat KIPRED ka krijuar një planprogram mësimor, i cili është aprovuar nga MASHT, e që përfshinë mësime rreth rëndësisë së zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor.

Në kuadër të projektit KIPRED ka trajnuar rreth 60 mësimdhënës, kryesisht të Edukatës Qytetare, se di duhet ligjëruar këtë planprogram tek nxënësit. Më pas, këta mësimdhënës, kanë mbajtur nga 4 ligjërata me nxënësit e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›