Vendimi; Apeli liron biznesmenin Rezart Taçi, burg dy badigardëve
Gjykata e Apelit, pasi rihodhi në short emrat e gjyqtarëve të tjerë që do gjykonin kërkesën për lirim të biznesmenit Rezart Taçi, pas dorëheqjes së Zina Sollakut dhe Fatos Qatos për konflikt interesi, pasditen e djeshme vendosën lirimin e tij. Pas kërkesës së parashtruar në gjykatë nga avokatët e Taçit, i akuzuar për rrahjen e gazetarit Mero Baze, për lirimin e klientit të tyre me argumentin se nuk është person që përbën rrezikshmëri, është një nga taksapaguesit më të mëdhenj dhe nuk ka precedentë në mospagim taksash, ka biznese që duhet të drejtojë dhe një staf të madh punonjësish që duhen mbajtur në punë, gjykata e mori në konsideratë këtë kërkesë. Ndërkohë që, më parë prokurori Dritan Peka kishte kërkuar të lihej në fuqi e njëjta masë, “arrest me burg” për shkak të faktit që vepra u krye në publik dhe për shkak të detyrës së gazetarit. Biznesmenit iu ndryshua masa e arrestit nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”, konkretisht do t’i duhet të paraqitet çdo ditë të hënë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në përfundim të seancës së masës, avokati Haxhia u shpreh i kënaqur për vendimin e gjykatës dhe u shpreh se po të njëjtin vendim gjykata duhet të marrë edhe për dy badigardët e klientit të tij, vendimin e marrë nga gjyqtarja Farije Budo në Gjykatën e Shkallës së Parë, e quajti ekstrem. Disa minuta më vonë u zhvillua edhe seanca e masës për dy badigardët Yrgen Selfo e Bledar Lilon. Më herët, në orët e para të paradites së djeshme, dy nga gjyqtarët e treshes së caktuar për shqyrtimin e kërkesës së Taçit dhanë dorëheqjen. Zina Sollaku argumentoi se jepte dorëheqje nga shqyrtimi i kërkesës pasi kishte konflikt interesi në këtë çështje. Ajo ka paditur gazetarin Mero Baze për shpifje dhe nuk mund ta shqyrtonte këtë kërkesë. Ndërkohë që edhe gjyqtari Fatos Qato u shpreh se kishte konflikt interesi në këtë çështje, pasi i afërmi i tij punonte në kompaninë e Rezart Taçit. Për këtë arsye, kërkesa u shqyrtua nga kryetari i gjykatës, Metush Saraçi.