Petriti: Vajza ime vdiq nga neglizhenca e mjekut Hoxhallari
Babai i 17-vjeçares Matilda Petriti, e cila vdiq pas një operacioni për heqjen e bajameve, hodhi akuza të drejtpërdrejta dhe mjaft të rënda për stafin e mjekëve të ORL-së në kryeqytet, duke i akuzuar se tentuan të fshehin ngjarjen pas vdekjes së të bijës. “Pasi vajza ime ndërroi jetë në spital, mjekët u përpoqën ta fshehin çfarë kishte ndodhur dhe arsyet e vdekjes së saj. Ata më ofruan një ambulancë për ta çuar vajzën direkt në Korçë, ndërkohë që nuk pranuan të më japin ambulancë për ta transportuar në morgun e spitalit”, - u shpreh ai gjatë dëshmisë së dhënë dje në Gjykatën e Tiranës, në procesin në ngarkim të mjekut Xhevahir Hoxhallari. Më tej, Besim Petriti, babai i vajzës, i ulur në një karrige për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, ka dëshmuar me detaje për periudhën para dhe pas operacionit, si dhe momentet e ndërrimit të jetës së 17-vjeçares. Besim Petriti rrëfeu se ka kontaktuar mjekun Hoxhallari për t’i bërë operacion vajzës së tij për heqjen e bajameve, i cili u realizua në klinikën e tij private në Pogradec. Sipas dëshmitarit, e bija, pas operacionit të bërë nga mjeku Hoxhallari, ka vuajtur nga hemorragji të shpeshta, por doktori është treguar neglizhent edhe kur e përcolli Matildën për në spitalin e Tiranës. Petriti shtoi se i është lutur mjekut Hoxhallari që ta mbante në reanimacion Matildën, pasi vajza ishte shumë sëmurë, por doktori i ishte përgjigjur se “atë e di unë”. Madje sipas babait të vajzës që vdiq pas heqjes së bajameve, doktori e kishte urdhëruar të bijën që të çohej në këmbë e të shkonte vetë deri tek dhoma kur do të shtrohej. Me lot në sy, Besim Petriti ka treguar për vuajtjen e vajzës tashmë të vdekur. Dëshmia e babait të Matilda Petritit ka vijuar me akuza ndaj mjekëve të kryeqytetit, të cilët me gjithë hemorragjinë e vajzës dhe lutjet e prindërve për të ndërhyrë, askush nuk kishte ardhur në spital për ta ndihmuar. Në seancë ka qenë i pranishëm edhe vetë mjeku Hoxhallari, i cili gjatë dëshmisë nuk ka nxjerrë asnjë fjalë nga goja për të kundërshtuar apo pranuar akuzat e rënda të babait të Matildës, Besim Petriti, si ndaj tij edhe ndaj kolegëve të ORL-së në Tiranë.