Pranga supermashtruesit në Athinë, vodhi 3 milionë euro
I akuzuar për vjedhje me anë të mashtrimit të 3 milionë eurove, arrestohet nga policia greke në Athinë supermashtruesi Indrit Aliu. Policia greke ka arrestuar dy net më parë 25-vjeçarin, i cili me anë të mashtrimit kishte arritur që t’i merrte biznesmenëve të ndryshëm shqiptarë mbi tre milionë euro. Pas bashkëpunimit midis Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës është vënë në pranga Indrit Aliu, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet pas denoncimeve të kryera nga kompani biznesi, të cilat e akuzonin për grabitje me anë të mashtrimit. Aliu ishte larguar në drejtim të Greqisë, ku jetonte nën një identitet të rremë. Sipas burimeve zyrtare, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 25-vjeçarit, për veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”. Sipas burimeve nga policia, Aliu kërkohej pasi ai vazhdimisht ka mashtruar shtetas të ndryshëm, duke u marrë atyre shuma të konsiderueshme parash. Këto veprime ai i kryente përmes nënshkrimit të kontratave fiktive e lëshimit të mandateve të pagesave fiktive. Në momentin e arrestimit, 25-vjeçari kishte dokumente me gjeneralitetet e Sokol Shehut. Nga autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Skemat e mashtrimeve
Biznesmeni 25-vjeçar kishte krijuar një fondacion “Dejs & Partners Consulting”, nëpërmjet të cilit arrinte që të realizonte skemën e tij. Supermashtruesi Aliu ka “punuar” deri në muajin mars, ndërkohë që më pas është larguar nga Shqipëria përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Ndaj 25-vjeçarit janë kryer dhjetë denoncime. Nga këto, sipas burimeve policore, nëntë janë kompani biznesi dhe padia e dhjetë është bërë nga një individ. I riu ka kryer gati në të gjitha rastet të njëjtën skemë duke kryer vjedhjet. Ai nënshkruante kontrata për mallra apo shërbime me biznese të ndryshme, premtonte se shumat do të likuidoheshin brenda pak ditëve dhe më pas zhdukej. Mashtruesi 25-vjeçar hynte si ndërmjetës në tenderë rrugësh, ndërtime shkollash e veprash publike, ndërsa ka marrë automjete dhe kompjuterë nga kompanitë private, duke nënshkruar kontrata fiktive për blerjen e shërbimeve. Në çdo marrëveshje me bizneset, ai kërkonte 3% të vlerës së investuar që t’i kalonte atij. Ndërkohë që merrte paratë nga firmat, të cilat nisnin punimet, u premtonte atyre se do t’u kalonin paratë “sapo t’i zhbllokoheshin problemet me llogaritë e tij në banka”. Pas denoncimeve të kryera, i riu ka ndier rrezikun dhe është larguar nga Shqipëria. Ai ka udhëtuar në Turqi, ndërsa më pas gjurmët e tij kanë humbur. Aliu kishte shkuar në Athinë, ku edhe qëndronte nën një identitet të rremë, por u zbulua dhe u arrestua nga policia. Tashmë, supermashtruesi do t’i nënshtrohet procedurave për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku akuzohet nga drejtësia për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit” me pasoja të rënda.