Reforma në Drejtësi dhe gjyqtarët
Më në fund, gjyqtarët shqiptarë mundohen t'i bashkohen atyre evropianë. Kjo sepse deri këtë fundjave, Shqipëria ishte i vetmi vend i Evropës që ende nuk kishte një shoqatë de-facto madje as de-jure gjyqtarësh. Është ndoshta e habitshme ta dëgjojë dikush këtë fakt, kur dihet numri i llojllojshëm i shoqatave në këtë vend, por gjyqtarët e Shqipërisë e themeluan të parën shoqatë të tyre, pikërisht të shtunën e fundjavës që sapo lamë pas. Madje tentativa të mëparshme në këtë drejtim, që pas pluralizmit, nuk janë ndier aspak, ose fare pak (përveç një projekti që u hodh në fillim të viteve '90, por që u fik pa u çelur ende).
Në takimin themelues, që u zhvillua në një nga sallat e 15-katëshit, kishte një korpus gjyqtarësh prej rreth një të tretës të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve dhe po ta mendosh, ky numër është tejet i madh, po të pranojmë problemet në njoftimin e të gjithë gjyqtarëve për këtë takim jo të zakonshëm të tyre. Pikërisht për këtë shkak, trupa e gjyqtarëve të pranishëm edhe pse njëzëri themeloi Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë, organet e saj drejtuese i zgjodhi me një mandat të kufizuar deri në mbledhjen e ardhshme. Kjo, vetëm dhe vetëm që organet definitive të zgjidhen në mbledhjen e ardhshme të të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë, ku pritet të marrë pjesë, pa përjashtim, çdo gjyqtar i saj.
Në fakt, për shumë arsye, momenti më i përshtatshëm për këtë lloj organizimi me sa duket ishte tani (the time is now). Dhe këto arsye buronin: Që nga domosdoshmëria e ridimensionimit të sistemit të drejtësisë shqiptare, deri tek kushtet që organizmat ndërkombëtare, si NATO apo BE i kanë vendosur Shqipërisë; që nga thirrja publike e presidentit Topi për pjesëmarrje aktive të gjyqtarëve në këtë reformë, e deri tek nevoja që ndien çdo qytetar për këtë reformë; që nga e drejta e publikut për të marrë drejtësi, e deri tek detyrimi i gjyqtarëve për t'ia dhënë atë.
Me sa duket, më shumë sesa politika apo pushtetet e tjera, nevojën për reformimin e drejtësisë shqiptare e kanë ndier vetë gjyqtarët, duke bërë lëvizje konkrete në këtë drejtim. Krijimi i kësaj shoqate, jo të zakontë për Shqipërinë (pasi në përbërje të saj është gjithë trupa e togave të zeza), pritet që të kontribuojë dukshëm edhe në projektimin e drafteve që po përgatiten për të ristrukturuar sistemin e drejtësisë. Është fakt se, më mirë se ata, askush tjetër nuk i njeh problemet e drejtësisë shqiptare dhe kontributi i tyre në këtë drejtim duhet të jetë i mirëpritur.
Megjithatë, mendjet skeptike në Shqipëri ndoshta do të mendonin që trupa e gjyqtarëve shqiptarë, përveç këtij organizimi vullnetar të themeluar këtë fundjavë, kanë edhe një organ kushtetues, siç është Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila ka/duhet të kishte në përbërje të saj, po ashtu, gjyqtarë të të gjitha niveleve. Atëherë, pse ishte domosdoshmëri në këtë moment ky organizim? Përgjigja me sa duket rrjedh qartazi, nëse do të vëzhgohej mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Në këtë organ kushtetues vendimmarrës të gjyqtarëve, për fat të keq, që me Ligjin e 12 Majit të 2005-ës, gjyqtarët nuk mund të jenë dot të gjithë pjesëmarrës në të. Kjo për arsye se, sipas këtij ligji, që është ende në fuqi, në Konferencë mund të marrin pjesë vetëm rreth 100 gjyqtarë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i tyre është diçka më shumë se 250 të tillë. Ky model pjesëmarrjeje me përfaqësim, me sa duket i ka larguar gjyqtarët nga i vetmi organ gjithëpërfshirës i tyre, është kundërshtuar fort nga shumica e gjyqtarëve. Madje ç'është më e pritshmja, goditja e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, do të jetë edhe një ndër projektet e para që do të ndërmerrte Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë. Fati i këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese duket të jetë i vetëkuptueshëm, po të rikujtojmë konstitucionalisten e njohur Aurela Anastasi, e cila lidhur me këtë ligj ka deklaruar se: "Mendoj që ky ligj ka qenë i panevojshëm, në kushtet kur votimi i drejtpërdrejt është plotësisht i realizueshëm, në një Konferencë Kombëtare Gjyqësore me rreth 300 gjyqtarë".
Por duhet pasur parasysh që organet drejtuese të kësaj shoqate ende të palindur juridikisht, kanë vetëm 3 muaj kohë që ta bëjnë realitet këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo sepse pas Majit të 2008-ës, ky ligj kalon 3 vitet që i duhen për të mos u bërë më e mundur goditja e tij për anti-kushtetutshmëri në Gjykatën Kushtetuese, përveçse me anë të kontrollit incidental, apo me anë të shfuqizimit nga Kuvendi.
Megjithatë, cilido-qoftë projekti i parë, i dytë apo i tretë i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve Shqiptarë, krijimi i saj ka qenë domosdoshmëri, sidomos në këto momente decizive për sistemin shqiptar të drejtësisë. Më mirë se kushdo tjetër, është trupa e gjyqtarëve ajo që duhet të mbajë peshën e vërtetë të këtij procesi, duke prezantuar projektet e tyre, qoftë me anë të "Librit të Bardhë" individualisht nëpër çdo gjykatë, ashtu edhe kolektivisht, me anë të nismave të tilla që jo vetëm duhen përshëndetur, por mbi të gjitha mbështetur.
*Gjyqtar, Pedagog i së Drejtës Kushtetuese, UT