E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe veteranët reagojnë ndaj deklaratës së Haxhinastos

Nga Express më 19 mars 2011 në ora 16:13

(E plotësuar) Pas Lëvizjes për Bashkim, edhe OVL e UÇK-së ka shprehur zhgënjimin me deklaratat, siç i cilëson, të papërgjegjshme të kryediplomatit shqiptar Edmond Haxhinasto, duke vlerësuar se deklaratat kundër bashkimit kombëtar nuk i bën nderë as ministrit e as qeverisë që ai përfaqëson dhe është në kundërshtim me përpjekjet shekullore të kombit shqiptar.

“Ne i rikujtojmë ministrit Haxhinasto, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte në themelet e saj çlirimin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Neve nuk na nderon as vizita e tij në varrin e komandantit legjendar Adem Jashari, derisa është në kundërshtim të plotë me idealin e komandantit legjendar dhe mijëra dëshmorëve që dhanë gjak për një Komb, një Atdhe, një Gjuhë e një Flamur”, thuhet në reagim.

Veteranët e luftës shpresojnë se qëndrimet e kryediplomatit shqiptar nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Shqipërisë dhe tërheqin vërejtjen se për çështje të tilla nuk vendosin politikanët, por vendos vetë kombi shqiptar.

“Vetëm të bashkuar ne mund të bëjmë realitet ëndrrën shekullore dhe kërkesën legjitime të kombit shqiptar për çlirim e bashkim”, thuhet në reagim.

Kurti: Integrimi në BE s’e zëvendëson bashkimin kombëtar

Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është takuar mbrëmë edhe me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në këtë takim të përzemërt u diskutua mbi situatën në të dy vendet, bashkëpunimin e ngushtë ndërshqiptar, si dhe nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tepër si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga “Vetëvendosje”, pas takimit.

Gjatë takimit Albin Kurti e informoi mysafirin mbi sfidat në të cilat po kalon Kosova dhe nevojën që pavarësisë së vendit t’i shtohet sovraniteti. Ndërkaq, Haxhinasto uroi Kurtin për hyrjen e lëvizjes në Kuvend, për angazhimet dhe aktivitetet e deritanishme, si dhe i dëshiroi sukses në punën e mëtutjeshme.

Sipas komunikatës, Haxhinasto foli për rëndësinë e integrimeve evropiane të shqiptarëve, me ç’rast Kurti theksoi se integrimi në BE nuk është në kundërshtim me bashkimin kombëtar të shqiptarëve, por edhe kurrsesi s’mund ta zëvendësojë atë.

Në fund, lideri i “Vetëvendosje”-s e informoi shefin e diplomacisë shqiptare për dëmet nga bisedimet aktuale me Serbinë, “ku në emër të çështjeve teknike Serbisë po i mundësohet që ta kontrabandojë përmbajtjen e autonomisë territoriale për serbët në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje, por tash për tash pa e quajtur të tillë”, theksohet në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›