E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edhet” e Hagës dhe acari i “dimrit të madh” në Kosovë

12/02/2005  Në të gjitha poret e jetës në Kosovë, këto ditë kanë depërtuar “ethet” e Tribunalit të Hagës dhe acari i ftohtë i këtij “dimri të madh”. Sikur të gjithë pyesin dhe presin përgjigje: “A u arrestuan? Kush u arrestuan? Sa veta u arrestuan?” Dhe ndërkohë të gjithëve u dridhen dhëmbët nga të ftohtit e këtij dimri të papritur…

Një “dimër i madh” po mbretëron këto ditë në Kosovë. Ky acar i madh erdhi papritur pas një pranvere të hershme, që mbajti gjatë muajit dhjetor e janar.

Ky ndryshim drastik i motit në Kosovë, sikur ka përkuar me realitetin e “temperaturës politike” në Kosovë, që ka qenë dhe që po mbretëron sot në Kosovë. Kështu pos në stratosferën gjeografike të Kosovës, edhe në skenën politike të Kosovës, ditëve të fundit po shënohen ulje drastike të temperaturave. Fundi i javës së gjashtë të kalendarit po përshkohet me minus 20 gradë Celsius në Kosovë. Në të katër anët e Kosovës ka akull të ftohtë. Të gjitha sferat politike e institucionale janë të përfshira nga “ethet” e Tribunalit të Hagës.

“Sinjali i kuq”: dikush do të arrestohet!

“A u arrestuan? Kush u arrestua? Sa veta u arrestuan?”. Këto janë pyetjet më të shumta që dëgjohen gojë më gojë, apo vesh më vesh, anembanë Kosovës. Kështu pyesin qytetarë të të gjitha kategorive, të të gjitha profesioneve, të të gjitha moshave… Në të shumtën e rasteve pyetjet mbesin pa përgjigje, ndërkohë që përgjigjet eventuale janë vetëm spekulime. Në raste të veçanta përmenden edhe emra konkretë, por…

Një prej personaliteteve më të përfolur në muajt te fundit është Ramush Haradinaj. Ai është marrë në “bisedë konsultative” në periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Më pas, me peshën e “kryqit”, alias me “hijen” e dosjes së Hagës, Ramush Haradinaj do të sfidojë të gjitha pengesat. Do të bëhet Kryeministër i Kosovës.

Por, hija e rëndë e Hagës, apo ethet e ftohta të dosjes së Tribunalit kanë zbritur përsëri në Kosovë bashkë me acarin e këtij dimri. Dhe, kjo hije e rëndë apo këto ethe të Tribunalit, instiktivisht përsëri kanë mbërthyer emrin e Ramush Haradinajt. Në fakt askush në Kosovë nuk e di saktësisht fatin e Ramush Haradinajt. Së paku nuk e thonë ata që e dinë. Por, “drita e kuq” tashmë është ndezur në semaforin e rrugëtimit të Kosovës. Kjo “dritë e kuqe” do të zgjasë derisa të arrestohen të akuzuarit, sipas hetimeve të kryeprokurores Karla Del Ponte.

…Dhe çka do të ndodhë nëse eventualisht arrestohet Ramush Haradinaj?

Intimisht në Kosovë janë të rrallë ata shqiptarë që dëshirojnë një gjë të tillë. Dhe të gjithë këta nuk janë simpatizantë të Ramushit apo anëtarë të AAK-së! Jo! Janë banorë të Kosovës ata që nuk duan përsëritje të marsit, demonstrata në rrugë, djegie, gjak, vrasje… Ndërkaq, ekziston frika se arrestimi i Ramush Haradinajt mund të “provokojë” skena të tilla të llahtarshme.

A do të bjerë Qeveria e Kosovës nëse Haradinaj dërgohet në Hagë?

Megjithëse, deri në këto momente, askush nuk mund të vërtetojë emrat e të akuzuarve apo edhe të arrestuarve të rastit, një pyetje tjetër që shtrohet shpesh në diskutimet brendashqiptare të niveleve të ndryshme është edhe kjo: A do të bjerë Qeveria e Kosovës nëse Haradinaj dërgohet në Hagë.

Kësaj pyetjeje hipotetike është vështirë t’i jepet një përgjigje e saktë. Por, dyshimet për një prishtje të koalicionit LDK-AAK janë tepër të mëdha. Ramush Haradinaj është emër i madh dhe i vetëm në AAK, kështu që dërgimi eventual i tij në Hagë do të prishte çdo barazpeshë politike dhe institucionale në Kosovë. Më së shumti në këtë variant besojnë ata pesimistë, të cilët tash e sa muaj kanë propaganduar opinionet e tyre se “Qeveria Haradinaj nuk do të qëndrojë as 100 ditë në pushtet!”.

Por ka edhe të atillë që shpresojnë se, pavarësisht se çka do të ndodhë me Ramush Haradinaj, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën e tyre. Këtë besim të tyre, të tillët e mbeshtesin te gatishmëria e vetë Ramush Haradinajt se në çdo kohë është i gatshëm t’i përgjigjet Tribunalit të Hagës. Kjo kategori e optimistëve të tillë japin edhe kombinimet e tyre kadrovike. Ata thonë se, në vend të Haradinajt, postin e kryeministrit mund ta marrë Naim Maloku, duke shpresuar se një ditë Haradinaj mbase edhe mund të mbrohet në liri.

A do të japë dorëheqje Nexhat Daci, nëse Haradinaj dërgohet në Hagë?

Një prej personaliteteve të larta politike e institucionale të Kosovës, i cili njihet edhe si arkitekt i ndërtimit të koalicionit LDK-AAK, akademik Nexhat Daci, ka kohë që ka paralajmëruar se, nëse eventualisht Kryeministri Ramush Haradinaj dërgohet në Hagë, ai do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Parlamentit të Kosovës. Por, dorëheqja e akademik Nexhat Dacit nuk do të kalojë pa pasoja si në taborrin institucional të Kosovës, ashtu edhe në taborrin politik të LDK-së.

Kështu, me arrestimin eventual të Kryeministrit Haradinaj dhe dorëheqjen e pritur të kryeparlamentarit Daci, vendi do të zhytej në një krizë të thellë institucionale. Parimisht do të funksiononte vetëm institucioni i Presidentit të Kosovës. Një situatë e tillë do të impononte mbase edhe zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë shumë pak të besueshme se do të ndodhin para vitit 2008.

Ashtu siç thamë edhe më lart, dorëheqja eventuale e akademik Nexhat Dacit nga posti i kryetarit të Parlamentit të Kosovës do të reflektonte krizë politike edhe brenda LDK-së. Nexhat Daci, duke qenë i njohur si “kumbarë” i koalicionit LDK-AAK, do të përballet me rivalët e tjerë brenda LDK-së, të cilët kanë preferuar një koalicion më të gjerë para formimit të institucioneve të tanishme.

ǒkanë biseduar në takime të veçanta Nexhat Daci e Ramush Haradinaj me shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë?

Sipas burimeve tona të sigurta, ditëve të fundit, shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, z.Filip Goldberg, ka takuar veç e veç kryeparlamentarin e Kosovës, akademik Nexhat Daci dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj. Takimi me kryeparlamentarin Daci është mbajtur në pushimoren e këtij të fundit në Brezovicë. Aty, ndër të tjera, është biseduar edhe për rrethanat që do të mund të krijoheshin në rast të arrestimit eventual të Ramush Haradinajt. Daci, në këtë drekë pune në vikendicën e tij në Brezovicë, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij para z.Goldberg se, nëse ndodh një gjë e tillë, ai do të japë dorëheqje.

Një takim i veçantë mes shefit të Zyrës Amerikane në Prishtinë dhe Kryeministrit Haradinaj është mbajtur edhe të martën në mbrëmje. Në këtë darkë pune mes Kryeministrit dhe shefit të Zyrës Amerikane merret vesh se është biseduar edhe për urdhëresat eventuale të Tribunalit të Hagës dhe veprimet e KFOR-it në Kosovë për të përmbushur një urdhëresë të tillë.

Se kush do të arrestohet nesër, këtë e dinë pak vetë në Kosovë. Se çfarë moti do të mbajë nesër në Kosovë, këtë e dijnë vetëm meteorologët. Ndërkohë edhe më tutje vazhdojnë “ethet” e Hagës dhe acari i “dimrit të madh” në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›