E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetmbojtja gazetarëve

12/02/2005  Gjashtëmujorin e fundit është përdorur shumë togfjalëshi “luftë interesash”, apo “luftë ndaj luftës së interesave”, por kur deputetët e kanë m’u përpara hundës këtë fenomen nuk e nuhasin, si njeriu që mësohet me aromën (ose kutërbimin) e vet për shkak të bashkëjetesës me të.

Në projektligjin e hartuar së fundi për mediat u vunë re disa gjëra të çuditshme, dhe askush nga ata deputetët, qoftë në Komisionin e Mediave qoftë në Komisionin e Ligjeve, nuk u deklarua se në atë projektligj kishte përplasje interesash të vetë hartuesve.

Botuesit që i nxjerrin gazetat nën kosto nuk kanë prishur rregullat e konkurrencës, por po tregojnë një kontradiktë të madhe të shoqërisë sonë: biznesmenët më të fuqishëm të vendit, që normalisht do të ishin përfaqësues të politikave më të egra ekonomike – çmime të larta dhe taksa të ulëta. Politika që mendohet se përfaqësohen nga spektri i djathtë politik – po tregohen më të majtë se deputetët e majtë (zoti Braçe) dhe deputetët e qendrës (zoti Lesi), ngaqë gazetat çmimulët i vijnë në ndihmë pjesës më të varfër të shoqërisë dhe që është pjesa më e madhe e shoqërisë. Dhe kështu, duket sheshit që deputetët në fjalë, nuk janë aty ku janë në mbrojtje të politikave, për të cilat ata kanë marrë votën e qytetarit, por për të mbrojtur interesat e dy gazetave që ata përfaqësojnë, dhe vetëm në Shqipëri mund të gjesh që një deputet është edhe kryeredaktor apo botues i një gazete.

Ndërsa përjashtimi i botuesve nga tenderat është një tjetër absurditet, i cili bie ndesh me logjikën e ekonomisë së tregut që shoqëria përpiqet të ndërtojë. Gjithë esenca e një tenderi, e shprehur në pak fjalë, është: pjesëmarrësi që ofron çmimin më të ulët të mundshëm së bashku me cilësinë më të lartë të shërbimit duhet të jetë fituesi. Përse duhet që botuesit të përjashtohen nga një konkurrimi tillë kur ai që do të ofrojnë çmimin dhe cilësinë e kërkuar në një tendër mund të jetë botues, ku është dëmi që shoqëria jonë do të përfitojë nga investimet dhe shërbimet e tyre? Duke eliminuar botuesit nga tenderat, shoqëria bllokon një shteg prej nga mund të vijë një vlerë shumë më e mirë sesa nga burime që konsiderohen si të pavarur apriori. Në fakt, gjithë qëllimi i një ligji të tillë, që nuk thuhet hapur, është mbrojta e interesave të dy hartuesve të ligjit, të cilët nuk kanë biznese, ose nuk kanë biznese aq të fuqishme, sa të futen për të fituar në konkurrencën e tenderave. Pra, ata duhet të fitojnë duke dobësuar rivalët, por kjo nuk është logjika e shëndoshë që duhet të përqafojë shoqëria jonë, nëse kemi dëshirë të ecim përpara. Sepse, sipas kësaj logjike, nesër, kur edhe botuesit e tjerë të dobësohen, atëherë do të kemi vetëm botues të vobektë. Kush e pëlqen këtë logjikë, le ta përqafojë, por, e qërruar nga fjalët e tepërta, kjo është logjikë komuniste.

Ndërsa ligji që reklamat shtetërore t’u jepen vetëm gazetave me tirazhin më të madh nuk është funksional dhe i mungon logjika e marketingut. Reklama nuk është një tufë fjalësh për t’u shkruar diku dhe një tufë kartëmonedhash për t’u paguar, ajo kërkon disa kështu për t’u shërbyer. Çdo reklamë synon të mbërrijë te një publik i caktuar. Për shembull, një lajmërim, audienca e të cilit janë pensionistët, nuk mund të botohet te gazeta Paloma, por te Zëri i Popullit, sepse pleqtë lexojnë të dytën. Një fushatë për mbrojtjen nga SIDA duhet me patjetër të shkojë te gazetat erotike dhe te gazetat rinore, pavarësisht se këto mund të jenë me tirazh më të vogël, bie fjala, se gazetat politike. Ose, një tender i caktuar për blerje makinash nga X ministri nuk mund të lajmërohet te gazeta letrare Fjala, atë e lexojnë, edhe pse tirazhi është i madh, njerëz të lidhur me letërsinë dhe artin, e jo me biznesin. Ndërsa çmimi i reklamave është tjetër gjë, në bazë të tirazhit të gazetës vendoset edhe kosto. Pra, edhe Komisioni i Ligjeve, i cili vendosi që reklamat shtetërore të shkojnë te gazetat me tirazhin më të madh, e ka gabim.

Dhe e fundit, një gjë është e sigurt: në Shqipëri, mediat mirëfilli të pavarura janë të pakta. Nuk duhet të kënaqemi me faktin që kemi gjithë spektrin e mediave, nga më ekstremi te më i moderuari, zakonisht ato kanë një profil të caktuar dhe e kanë të kufizuar rrezen e përfshirjes: te gazetat e majta nuk shkruan dot kundër të majtëve e te të djathtat nuk shkruan dot kundër të djathtëve – pra, janë si gjysma portokalli, të cilat nuk mund t’i quash frut të plotë. Bëhet fjalë të shkruash me profesionalizëm. Një gazetar nuk duhet të ulet në kompjuter duke patur në mendje një person apo grup të caktuar dhe të sulmojë, por një fenomen dhe ta trajtojë. Por, trajtimi i fenomeneve mund të prekë të gjithë krahët dhe nuk mund ta botosh një shkrim për të majtët tek e majta e një tek e djathta, e një shkrim kundër një ministri të caktuar te kjo gazetë, ndërsa për ministrin tjetër te gazeta tjetër. Dhe këtu hyn në punë forca e gazetarëve. Në media, ata që e duan profesionin, që nuk e shikojnë vendin e punës si trampolinë për të zënë një vend në qeverinë e ardhshme, duhet të krijojnë sindikatën e vet dhe të revoltohen kundër çdo shkeljeje që bie ndesh me profesionin. Nuk duhet të tremben prej botuesve, njerëz që kanë hedhur miliona nuk mund t’i mbyllin gazetat brenda ditës, sepse revoltohen gazetarët, por do përpiqen të përmirësojnë kushtet, një nga të cilat duhet të jetë liria për t’i këqyrur materialet e gazetës vetëm me lupën e profesionalizmit. Pa gazetarë nuk mund të ketë botues. Dhe vetëm atëherë, kur gazetarët të mbrojnë të organizuar të drejtat e tyre, do ta shikojnë forcën reale, qoftë parallinjtë, qoftë pushtetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›