E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 60 ikona do të ekspozohen në Greqi

12/02/2005  Muzeu i Korçës

Qendra më e rëndësishme muzeale e qytetit të Korçës, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në pamje të parë të befason me bashkëjetesën e tij nën një çati me kishën orthodokse.

Pak metra më larg hyrjes së Mitropolisë, ndërtesa e përbashkët e muzeut dhe e kishës është e vetmja godinë disa katëshe që dallon mbi shtëpitë e vjetra korçare të një lagjeje

karakteristike. Një mur i ndan korridoret e kishës dhe të muzeut, në ambjentet e brendshme të të cilave ndeshet një heshtje disi mistike që të duket se ka autoritetin e dyfishtë të institucionit të trashëgimisë kulturore dhe institucionit fetar.

Hyrja kryesore e muzeut mbyllet me një kërcitje të lehtë dhe në gjysmëerrësirën e korridorit nga ku fillojnë shkallët që të çojnë në katet e sipërme dallohet në të djathtë një portë me hekura. Pas kësaj dere është salla e ekspozimit të ikonave, ku vizitorët kanë mundësi të shohin nga afër një pjesë të fondit prej gati 6 mijë ikonash që ruhen në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.

"Një punë e gjatë dhe e lodhshme duhet të përballohet në disa faza derisa ikonat të zënë vend në sallën e ekspozimit", thotë drejtori i muzeut, Lorenc Glozheni.

Piktorë e krijues nga më të njohurit në qytetin e Korçës janë pjesë e stafit të muzeut prej 20 vetësh që merren me identifikimin, restaturimin e konservimin, pajisjen me

dokumentacion të plotë çertifikimi dhe ekspozimin e ikonave.

"Puna jonë programohet që në fillim të vitit me ndarjen në tre kategori të fondit të ikonave që i nënshtrohen restaurimit dhe dezinfektimit", thotë Glozheni. Ai sqaron se ka një kategori ikonash që kërkojnë ndërhyrje urgjente, një kategori tjetër që

studiohen dhe kategoria e tretë që ekspozohet. Gjatë këtyre proçeseve, dora dhe syri i kujdesshëm i studiuesve dhe restauratorëve zbulojnë ikona që nuk i kanë ndeshur më parë. Në punën e tyre ata zbatojnë me rreptësi rregullat e Kartës së Venecias, sipas së cilës nuk lejohen korrigjime të origjinalit në ikonat me dëmtime të pjesshme.

Bashkëpunimi me ambasadën gjermane në Tiranë dhe muzeun e Mynihut i ka sjellë muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë një pajisje moderne të dezinfektimit të ikonave, në proçesin e së cilës ka filluar të kalojë i gjithë fondi ikonografik.

Specialisti i muzeut, studiuesi Kristofor Naslazi, tregon se pjesa më e madhe e fondit të ikonave i përkasin shekujve XIII-XIV të punuara nga duar mjeshtrish me famë. Brezi i tanishëm i restauratorëve, falë një specializimi në Muzeun Bizantin të Selanikut (Greqi) është gjithashtu një garanci e mirë që thesari ikonografik i muzeut jo vetëm të ruhet, por edhe të shtohet më tej me ikona që ende fshehin nën shtresat e bojës dhe pluhurit

vlera të rralla historike e fetare. "Prej 4 vjetësh bashkëpunojmë me muzeun e Selanikut dhe kemi restauruar 60 ikona që do të paraqiten në një ekspozitë vitin e ardhshëm në Greqi", tregon drejtori Glozheni. Vitin e ardhshëm ky muze i rrallë për nga vlerat që ruan, shënon 20-vjetorin e hapjes dhe me siguri do të ketë të pasuruar fondin e tij të ikonografisë si pjesë e kulturës së hershme shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›