Edi Mazi, i punësuar te “Mediasat”, ish-ATN1
Antena brenda familjes
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTVSH, Edi Mazi, është parë së fundi të hyjë e të dalë te televizioni “Mediasat”, që është ndryshim i emrit të TV ATN1, një televizion i formuar nga kontribute të militantëve të PD gjatë kohës që ishte në opozitë. Pas ndryshimit të pushtetit, ky televizion u mor falas nga Elvana Hana, mbesa e Liri Berishës. Hana mori një kredi prej 2 milionë eurosh te banka “Credins”, të cilën e përdori pjesërisht për rinovimin e teknologjisë së televizionit dhe një pjesë për ndërtime. Pas kësaj televizioni ndryshoi sinjalin dhe rriti luksin e redaksisë. Natyrisht, gjërat e tjera nuk ndryshuan shumë. Por ndryshimi më i madh cilësor së fundi duken vizitat e Edi Mazit në këtë televizion.
Flamuri, i cili druan të komentojë gjërat që janë afër atij burrit negativisht, kishte një koment pozitiv për këtë gjë.
- E vërteta është, - tha, - se Mazi nuk është drejtor, se drejtor është ai burri. Është vetëm konsulent pranë drejtorit. Shkon shpesh u jep ndonjë ide si ta organizojnë punën. Është burrë i mirë dhe i kemi rënë më qafë kot. Gjithë ekipi i televizionit e do dhe e respekton.
- Po ai burri e di këtë?
- Natyrisht që e di. Dhe s’ka çfarë thotë. Se ATN1 Mazi e hapi. Po të mos ishte Mazi, as që do ishte hapur ATN1, se s’do kishte nevojë. Ngaqë ai nuk i nxirrte asnjëherë në ekran këta të PD, këta u detyruan të hapin një televizion të tyre. Njëri solli tavolinat, njëri perdet, njëri vetratat, tjetri suvatë, njëri antenën, njëri kompjuterin, mos e pyet. Me zor u sajua si kinema, se televizion s’bëhej dot.
- Po tani ç’u bë me aksionerët e parë?
- Ata ishin aksionerë pa letra. S’kishin asnjë dokument. Erdhën njëherë dhe kërkuan të dinë ç’bëhej me kontributet e tyre. U thashë, kjo punë nuk bëhet pa letra. Duhet të keni letra. Ata të shkretët nuk kishin letra, se nuk i kanë mbajt shënim atëherë. Të paktën të kishin marrë gjërat që kanë sjellë, se ata poshtë i kanë hedhur. Elvana i ka blerë të gjitha të reja. S’ka nevojë për ato zhelet e atyre militantëve.
- Po mirë ata që nuk thonë gjë, po ai burri nuk është kujtuar ndonjëherë t’i mbledhë t’i falënderojë, se ai televizion dha arrestimin e tij atë natë?
- Ai burri nuk do t’i kujtojë ditët e këqija. E ka mirë këtë. S’ka pse e kthen kokën mbrapa. ǒtë kujtojë..? Të gjithë ata njerëz i kujtojnë ditë të këqija. Pse të prishë gjakun kot? Më mirë shikon ekranin e ndryshuar. Ka plot filma, telenovela argëtuese. Ka lezet. Pse do prishë gjakun të kujtojë të shkuarën. Dhe ai Mazi s’është burrë i keq. I kam thënë atij burrit t’ia bëjë emërimin tamam, madje drejtor, por “jo, - thotë, - se duhen pyetur aksionerët. Nuk duhet ndërhyrë në politikat e tyre”. Dhe e ka mirë. Media duhet lënë e lirë. Të të mbrojë si të dojë. Ja, TVSH. S’kemi ndërhyrë asnjëherë. Na mbrojnë si na mbrojnë, është punë e tyre. S’ke pse u ndërhyn. As te “Klan”-i. Askund nuk ndërhyjmë. Vetëm tek ata që sulmojnë. Atyre u duhet dhënë përgjigje, s’ke ç’i bën. Po dhe për ata s’kemi kompetenca. Na kanë hequr dhe këtë policinë ndërtimore t’u prishnim ndonjë shtëpi ose antenë.