PD përshëndet raportin e TI, një vit më parë Berisha e cilësoi të pabesueshëm
Por, ndryshimi i kursit nga ana e Partisë Demokratike ka ndodhur vetëm për dhjetë muaj. Në dhjetor të vitit 2007, TI publikon një sondazh, ku ishin marrë në pyetje qytetarët e këtij vendi, dhe Shqipëria rezultonte e treta nga fundi, për sa i përket progresit në luftën kundër korrupsionit. Jo pak, por 71 % e të anketuarve u shprehën pesimistë për këtë çështje dhe i vetmi që besonte asokohe se nuk ishte ashtu ishte kryeministri shqiptar, i cili u shpreh se nuk i besonte poll-eve të organizuara për këtë qëllim. Madje, asokohe kemi dhe një deklarim të zëdhënësit të PD, Gerti Bogdani, që e konsideronte këtë sondazh si të pabesueshëm, sepse në një nga pyetjet ishte futur dhe shërbimi i gazit. Pra, nga mazhoranca në pushtet kemi të bëjmë me dy standarde. I pari ka të bëjë me mosbesimin, kur rezultatet janë negative dhe i dyti me turravrapin për t’i përshëndetur këto rezultate. Duhet theksuar se në këtë raport TI është mbështetur në të dhënat e raportuara nga institucionet ndërkombëtare që veprojnë këtu dhe si informacion bazë ka të dhënat e institucioneve shqiptare. Më poshtë vijon i plotë prononcimi i zotit Berisha, bërë më 27 dhjetor të vitit 2007 në lidhje me sondazhin e asaj kohe të IT.
Ju folët për arritje për luftën kundër korrupsionit, por kemi një sondazh të TI, i cili e rendit Shqipërinë në vend të tretë për sa i përket korrupsionit. Si e keni lexuar këtë raport?
“Transparency International” boton një raport. Në raportin e saj Shqipëria ka qenë e 104, tani është e 123, por, në raport, kur ka qenë e 104, kanë qenë vetëm 134 vende, kurse në raportin e fundit janë 187 vende. Tani të vijmë te poll-et. E vërteta është se unë po t`iu kisha besuar poll-eve në Shqipëri, nuk do të isha këtu kryeministër sot, do isha prapë në opozitë, sipas tyre, por ja që poll-et janë poll-e. A është problematik korrupsioni? Është plotësisht problematik, sepse në një vend ky gjykata dhe institucioni i akuzës nuk përballen me ligjin për korrupsion, korrupsioni mbetet qartësisht problematik. Nuk mund të më bindin poll-et, të cilat thonë: “Po dënove, rritet korrupsioni”. Kjo është absurde. Po dënove, korrupsioni bie dhe ky është një nga kushtet. Por, problemi është se duhet dënuar në të gjitha nivelet, është e domosdoshme të vendoset para ligjit. Është e vështirë të dënohet korrupsioni, kur imunitarët e mbrojnë me fanatizëm ekstrem, por edhe me paturpësi imunitetin e tyre para korrupsionit.