E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikat e dobëta të Kremlinit

Nga “La Repubblica”

Deklaratat e Putin dhe Medvedev, akuzat e SHBA në stilin e viteve ’50 dhe mbi të gjitha, sfida e komunitetit ndërkombëtar e nisur menjëherë pas njohjes së pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, të bënin të mendoje për një strategji sulmi që kishte për qëllim të zgjaste deri në zgjedhjen e një presidenti të ri amerikan. Por, që prej disa ditësh, sinjalet që vijnë nga Moska janë të ndryshme, më të sfumuara.

Njerëzit e Kremlinit tashmë të duken të pasigurt lidhur me ato që iu interesojnë të bëjnë; nëse duhet të sfidojnë në lidhje me sfidën ndaj Perëndimit apo nëse duhet të lejojnë qetësimin e situatës. Natyrisht, vendimi i lajmëruar dje për të dërguar 7600 trupa ruse në dy republikat separatiste nuk është një gjest pajtues, duke qenë se armëpushimi parashikonte edhe largimin e trupave nga Gjeorgjia. Por, nga ana tjetër, ka pasoja logjike dhe politike njohja e Abkhazisë dhe Osetisë si republika të pavarura. Dhe dy republikat mund t’i kërkojnë një të trete të kontribuojë për sigurinë e tyre, duke ngritur atje baza ushtarake.

Fakti se vendosi të mbajë trupat në një territor të cilin institucionet ndërkombëtare e konsiderojnë ende gjeorgjian, përfaqëson një gjest të mëtejshëm force nga ana e Putinit: triumfin e fitores së plotë, me të cilën Rusia doli nga konflikti i gushtit, konfirmimin e llogaritjeve të Kremlinit që ishin të sakta. Në të njëjtën kohë, megjithatë, rusët duket se e kanë kuptuar se është momenti i uljes së tensioneve. Sepse, nëse sukseset e tyre në Kaukaz dhe përballë Perëndimit, që nuk mundet dhe me logjikë nuk do të prishin marrëdhëniet me Moskën, janë të padiskutueshme, është e vërtetë edhe se këto suksese po sjellin një kosto që nuk mund të mënjanohet. Sado euforikë të jenë në këto ditë, njerëzit e Kremlinit nuk mund të mos mbajnë parasysh se vetëm një vend, Nikaragua e vogël dhe e largët, e ka njohur deri tani pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Pra, rreziku i një izolimi të mundshëm politik dhe diplomatik të Rusisë nuk mund të përjashtohet.

Për më tepër se nga aty ku rusët kishin besim për të gjetur mirëkuptim dhe solidaritet, Kina dhe vendet e Azisë Qendrore kanë mbërritur me shumë rezerva sesa mbështetje. Jo izolimi diplomatik, por situata në kufijtë e komikes, se siguruan vetëm mbështetjen e Nikaraguas, është motivi i vetëm i shqetësimit. Më shumë se ç’ishte parashikuar, lufta në Kaukaz po shkakton kundërgoditje ekonomike dhe financiare.

Bursa e Moskës, që deri në qershorin e kaluar, kur Perëndimi ishte në krizë financiare, ishte në gjendje të mirë, tashmë ka nisur të tronditet. Por, për Putinin dhe kolegët e tij kostoja e afirmimit rus në Kaukaz dhe tronditja që i shkaktoi ekuilibrave gjeopolitikë, nuk është e lehtë. Kjo kosto është e vogël për momentin krahasuar me përfitimet e regjimit, por hedh një hije të rëndë në ekonominë ruse. Ka një episod që i ilustron në mënyrë të qartë shqetësimet e Kremlinit dhe tentativat e tij, që tani të tregohet më pajtues ndaj komunitetit ndërkombëtar të biznesit.

Që prej muajsh zgjaste një përplasje e ashpër lidhur me një kompani rusoperëndimore, Tnk-BP, që siguron një të tretën e naftës të nxjerrë në Rusi. Drejtuesve të BP iu janë refuzuar vizat, iu janë vënë gjoba dhe iu janë bërë kontrolle fiskale, ndërsa janë kontrolluar zyrat nga shërbimet e Sigurimit dhe e gjithë kjo të bën të mendosh për një rast të dytë “Yukos”. Por, disa ditë më parë, në mënyrë të papritur konflikti u zgjidh me një avantazh për palën ruse dhe pa shumë dëme për BP. Zgjidhja e rastit tregon se Rusia nuk do të ketë probleme të mëdha me Perëndimin, por, sidoqoftë, edhe lëvizja e fundit nuk i ka qetësuar përfundimisht investitorët e huaj. Të sjellësh paratë në Moskë, thonë ata, është si t’i vendosësh ato në një “ruletë ruse”.

Dikush mund të fitojë shumë, dikush mund t’i lërë të gjitha. Kur Medvedev thoshte, në ditët e para pas konfliktit, se “Rusia nuk i frikësohej askujt, madje as Luftës së re të Ftohtë”, ai kishte për qëllim të forconte nacionalizmin rus dhe mirëkuptimin për regjimin. Por, e vërteta, në fakt, nuk është kjo.

Loja e Putinit mes maleve të Kaukazit dhe Detit të Zi nuk mund të mbyllej më mirë se kaq. Hapësira e dikurshme sovjetike tani po bëhet ruse, ka një modifikim në ekuilibrin global në favor të regjimit moskovit, edhe pse është e vështirë të thuhet, nëse kjo është falë forcës ruse apo dobësisë amerikane. Por, pa bashkëpunimin me Perëndimin, një vend si Rusia nuk mund të vazhdojë gjatë rrugën e tij.

Për të mos mbetur një petro-shtet që ka si pasuri vetëm naftën dhe autoblindat 30-vjeçare dhe është peng i arrogancës së ish-zyrtarëve të shërbimeve sekrete që e drejtojnë, ky vend ka nevojë edhe për bashkëpunimin me ekonomitë perëndimore. Dhe të paktën një e treta e njerëzve të Kremlinit e dinë mirë këtë.

Musolinizmi i regjimit rus, mburrjet e fjalët e mëdha ka shumë mundësi të harrohen shpejt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›