E Diel, 1 Nëntor 2026

Një precedent “partitizmi” që vjen nga PBDNJ

Pas tre vjetësh bashkëqeverisje me pakicën greke në Shqipëri, kryeministri, Sali Berisha, duhet të bëjë një ndryshim qeverie, të imponuar nga zhvillimet e brendshme në PBDNJ. Kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, i kërkon atij të zëvendësojë ministrin Kosta Barka me z. Andrea Marto, më parë Sekretar i Përgjithshëm i së njëjtës ministri. Shkaku formal duket se është pushimi nga puna i zotit Marto, por shkaku real gjendet shumë më thellë.

PBDNJ është një parti që ka historikisht monopolin e raporteve mes Athinës dhe Tiranës. Nga ana tjetër, ajo është një parti e përhershme në çdo qeveri të Tiranës. Në vitin 2005, Vangjel Dule luajti një rol personal në raportet e Berishës me Athinën dhe diktoi në minutat e fundit në qeveri ministrin Kosta Barka. Me kalimin e kohës, elita politike e PBDNJ në pushtet filloi të fokusohej rreth Vangjel Dules dhe kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, me të cilin Berisha ka raporte të mira dhe shumë të qëndrueshme. Ai ka qenë dy herë bashkëkandidat i tij në Himarë dhe është mbrojtur prej tij ndaj gjithë sulmeve me karakter nacionalist që i janë bërë nga media. Po ashtu, në Gjirokastër po forcohet një tjetër figurë e pakicës greke, prefekti Spiro Ksera, një njeri i afërt me zotin Berisha dhe i respektuar prej tij. Së bashku me ministrin Barka, këta duket se eklipsuan pushtetin e zotit Dule dhe i morën atij monopolin e raporteve me Berishën. Raportet me Athinën po ashtu e humbën rëndësinë e tyre, për shkak të raporteve të mira personale që Berisha ka me kryeministrin Karamanlis.

Por në pakicën greke duket se kjo nuk ka shumë efekt. Ata e shikojnë këtë si një luftë për pushtet dhe jo si një betejë që ndan interesat e tyre. Riorganizimi i OMONIA-s pas pak kohësh do të jetë vendi ku realisht mund të shpërthejnë këto konflikte ose të mbyllen pa u hapur.

Në këto rrethana, në vitin e fundit elektoral, duket se zoti Dule kishte nevojë të tregonte fuqinë e tij. Pasi mori pjesë në një takim formal të opozitës për t’i dëshmuar Berishës se oferta nga pala tjetër është gati, ai prodhoi një konflikt formal, në të cilin ministri Barka u përfshi pa vetëdije. Sherri i tij banal me Sekretarin e Përgjithshëm i kushtoi postin e ministrit dhe zëvendësimin cinik nga i njëjti person.

Nga ana e tij zoti Marto është një figurë serioze, e besueshme për ministër, me përvojë në administratë, me lidhje me biznesin grek në Shqipëri dhe me dëgjueshmërinë e duhur politike për zotin Dule. Berisha tashmë është vënë para një testi të vështirë. Ai do të duhet të pranojë ofertën e zotit Dule. Po ashtu Bollano dhe Ksera do të duhet ta mbështesin atë. Kështu Dule demonstron pozicionin e tij si lider i pakicës greke, dhe i detyron shumë kritikë të tij të heshtin.

Nga ana tjetër kemi një ndryshim qeverie, jo për hallet apo problemet e qeverisë, por për krizën dhe problemet e një aleati të saj. Dhe kjo është shenjë e fortë se partitizmi, i cili u forcua nga ndryshimet kushtetuese, po dominon qeverinë dhe qeverisjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›