E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Bode-Berisha larguan FMN

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist, Edi Rama, e cilësoi një veprim arrogant dhe të papërgjegjshëm vendimin e qeverisë për largimin e FMN-së nga Shqipëria. Rama paralajmëroi se me këtë qëndrim Shqipëria është vetëm një hap larg kthimit në vitin 1996 dhe duke evokuar të kaluarën e hidhur, sipas tij të kryeministrit Berisha, në atë kohë president dhe ministrit të Financave në raport me FMN-në. “Kujtoj se presidenti i vitit 1996 dhe ministri i tij i piramidave, Ridvan Bode, bënë ‘rrush e kumbulla’ qysh në gjashtëmujorin e parë të gjitha lekët e buxhetit të atij viti, vetëm e vetëm për qëllime elektorale. Është krejt e qartë se Sali Berisha nuk udhëhiqet as nga interesat e vendit, e as nga arsyeja dhe e mira e Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke vendosur të largojë FMN-në nga Shqipëria, por vetëm nga interesi i ngushtë i pushtetit të tij personal, që kërkon ta mbajë duke i shpërdoruar financat e shtetit për qëllime ekskluzivisht elektorale”, u shpreh Rama. PS-ja shprehet kategorikisht kundër vendimit më të rrezikshëm të qeverisë, siç e cilëson Rama, për largimin e FMN-së nga Shqipëria, sepse “pa monitorimin e FMN-së, argumentoi kryetari i socialistëve, kryeministri rrezikon ta çojë vendin drejt një krize të madhe ekonomike dhe financiare”. “Të hysh në një vit elektoral me Sali Berishën e Ridvan Boden, Presidentin dhe Ministrin e Financave të Piramidave të vitit 1996, pa monitorimin e buxhetit të shtetit nga FMN-ja, është njësoj si të shkosh në zgjedhje me Saliun e 26 majit 1996, pa OSBE-në dhe pa karta identiteti”, u shpreh Rama. Fondi Monetar Ndërkombëtar, siç tha Rama, është një institucion që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për tranzicionin shqiptar, duke dhënë ndihmë të drejtpërdrejtë në reformat financiare. Kryetari i partisë më të madhe opozitare deklaroi publikisht se, nëse marrëveshja me FMN-në ndërpritet arbitrarisht nga kryeministri Berisha, duke mos e rinovuar atë, marrëveshja e parë që do të nënshkruajnë socialistët, nëse vijnë në pushtet në vitin 2009, do të jetë ajo me FMN-në.
Bode
Ndërkohë ministri i Financave, Ridvan Bode, sqaroi opozitën dje në Kuvendin e Shqipërisë, se FMN-ja nuk largohet nga Shqipëria. Sipas tij, ky është një mandat që përfundon dhe se do të ketë marrëveshje të tjera me të. “Marrëdhëniet e Shqipërisë me FMN-në janë të shkëlqyera. Kjo u vërtetua dhe me vizitën e bërë nga zv.presidenti i FMN-së. Ai ka kryer vetë dy herë vizita në Shqipëri dhe personalisht i ka vlerësuar si mjaft të mira marrëdhëniet mes FMN-së dhe Shqipërisë”, tha Bode. Sipas tij, në janar të vitit 2009 mbaron marrëveshja me FMN-në dhe kalojmë në një fazë tjetër, ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin, pasi ne do të vazhdojmë marrëdhëniet në një fazë tjetër, duke treguar se Shqipëria është maturuar”. “Nuk është se do të largohet FMN-ja, këtë nuk e vendos as qeveria dhe as opozita, do kemi marrëveshje të tjera me të. Shqipëria nuk do të përfshihet në vendet tranzitore, pasi marrëveshje të tilla aktualisht ka vetëm Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova. Është në nderin e opozitës që të vlerësojë një hap të tillë, duhet të jetë pro saj. Opozita ka kërkuar që FMN-ja të qëndrojë edhe 6 muaj, për mua le të rrijë FMN-ja dhe 100 vjet, të jeni të sigurt se ne do t’i zbatojmë marrëveshjet me përpikëri”, tha Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›