Kriza në PBDNJ, Dule kishte nevojë të tregonte muskujt
Panajot Barka, gazetar i njohur i minoritetit grek në Shqipëri dhe ish- deputet i OMONIA-s në parlamentin e parë të Shqipërisë, flet për “Faktori Plus”
Si është më mirë të bësh karrierë tani në krye të pakicës greke në OMONIA dhe në PBDNJ? Nga kush duhet të mbështetesh dhe ku duhet të mbështetesh?
T’i marrim me radhë. Marrim faktorin Dule në lidhje me minoritetin, pasi është faktor që përbën një fenomen në minoritet, pasi ai kishte personalizuar të gjithë përfaqësimin e minoritetit grek në Shqipëri dhe jo vetëm si aftësi e tij personale, por si një abuzim klasik që vinte në lidhje me marrëdhëniet e Tiranës dhe minoritetit me Athinën dhe Tiranës me Athinën, dhe Dule për një kohë shumë të gjatë me dëshirën e partive në Tiranë dhe të vetë Athinës hiqej si interlokutor midis Athinës dhe Tiranës. Tani ka ardhur një moment që Athina i ka thënë Tiranës në mënyrë të përsëritur çfarë ka për t’i kumtuar në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro- greke dhe në lidhje me minoritetet, pra komunikojnë drejtpërsëdrejti vetë, nuk ka interlokutorë.
Në këto momente, Dule është në pikë të hallit. Po ta vesh re, Dule nuk ka bërë asgjë për minoritetin. Në 11 vjet pushtet nuk ka marrë asnjë nismë ligjore.
Por tashmë që kriza ka shpërthyer, nuk po hetohet krisja Dule-Berisha te ju?
Jo, hetohet dhe ndihet shumë. Ekziston diçka tjetër, pasi në OMONIA dhe në minoritetin grek nuk kapërdihet një marrëdhënie luajale dhe e qëndrueshme ose e mirëpritur me Berishën.
Një lidhje e drejtpërdrejtë me Berishën nuk ndikohet vetëm nga raporti me Dulen, por ndikohet dhe nga qëndrimi se si do të përballen me minoritetin.
ǒdo të thotë të bësh diçka për minoritetin, se ka kuptime të ndryshme për këtë gjë?
Në aspektin politik nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore, qoftë për të përcaktuar statusin e minoritetit në Shqipëri. Nuk ka ndërmarrë asnjë nismë administrative për të rregulluar gjendjen e shkollave greke për minoritetin.
Çfarë është marrëveshja e vitit 2005 mes Dules dhe Berishës?
Pika kryesore ishte arsimimi, por për këtë nuk u bë asgjë. Përkundrazi, ndërhynë faktorë që e dëmtuan më shumë. Faktori i hapjes së shkollave private në minoritetin grek. Shkollës së fundit të hapur nuk i dihet statusi dhe është e palicencuar, dhe të gjitha kanë nga mbrapa iniciativën e Dules.
Ku është interesi i Dules në këto shkolla?
Më shumë është një interes financiar. Unë diskutoj dëmin politik që i bëhet minoritetit, pasi shkollat përbëjnë faktorin kryesor, pasi shkollat përbëjnë lidhjen mes minoritetit grek dhe shtetit shqiptar dhe i japin atij armën kulturore dhe arsimore për t’u integruar në shoqërinë shqiptare. Ndërsa hapja e shkollave private, pavarësisht se në plan të parë duket sikur ka një avantazh nacionalist, nga ana tjetër e kthen këtë minoritet në një geto. Dule e bën të gjithë këtë përpjekje, që është një nismë e tij dhe faktorëve të tjerë që qëndrojnë pranë tij, me qëllim kryesor anën financiare, por dhe krijimin e një shtrese, njerëzit e së cilës do të përbëjnë bazën e tij elektorale.
Tani që kriza është shfaqur dhe ministri Barka nuk do të jetë më pjesë e kabinetit, siç shihet nga të gjitha palët, faktori “Bollano”, dhe “OMONIA” do të mbështesin Dulen?
Kjo krizë është vendosur mbi krizën ekzistuese të strukturave politike në PBDNJ. Nuk e di publikisht se kush e ka përkrahur Dulen, ndërkohë që kjo është situatë shumë e rëndë. Në këto momente kemi një situatë, në të cilën Dule, me sa duket, dhe kjo është e vërtetë, ndodhet para ngushtësisë së veprimeve të tij për të mbijetuar, ndaj bëri hapin e gabuar për mendimin tim që iu sul Barkës, duke hapur Kutinë e Pandorës.
OMONIA drejtohet tashmë nga zoti Bollano, nga pranvera e këtij viti dhe ju thoni se është në prag të riorganizimit. Formalisht, do të ripyes, zoti Dule për kandidaturën e re, në rastin e Andrea Martos, ka marrë pëlqimin e OMONIA-s apo është vendim personal i tij?
Në një analizë që bëjmë duhet të shikojmë mundësinë për të parë sa më thellë. Më parë thashë se Dule është vetë zot dhe vetë shkop, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe OMONIA ishin në fakt një njeri, Dule. Në këtë mënyrë zgjidhej gjithçka në këtë parti.
Si ishte situata përpara se të plaste skandali?
Dua të përmend një thënie të Jani Janit, ish- kryetar i OMONIA-s, për Dulen. “Ky ishte Zeusi dhe godiste kë të donte me një rrufe”.
Minoriteti grek s’mund të jetë faktor në politikën shqiptare, pra që të ketë një rol vetëm përmes PBDNJ. Këtu ka një problem, pasi këtë rol duhet ta luajë OMONIA dhe duhet të jenë në baza të shëndosha politike dhe etnike.
Berisha kërkon të ketë rrymën e vet në minoritet, Partia Socialiste në fakt e ka, dhe e ka shumë të zhvilluar. OMONIA duhet të jetë në gjendje t’i propozojë këtyre partive.
Nëse Berisha merr pëlqimin e OMONIA-s për Spiro Kseren për kandidat dhe Rama merr pëlqimin e OMONIA-s për Vangjel Tavon, suksesi i tyre mund të jetë i garantuar?
Unë mendoj se po. Pasi ata vijnë nga një pozicion që është i dëshirueshëm në minoritet, i cili u lëkund dhe u përça pikërisht për interesat politike të Vangjel Dules dhe nga ana tjetër të Partisë Socialiste me anë të Vangjel Tavos. Por ishte pikërisht Dule njeriu përgjegjës që krijoi ato dy krahë brenda në minoritet, të cilat nuk ishin as ideologjike, por ishin personale.
Prej 2001 Partia Socialiste ka pasur një premisë për t’i marrë elektoratin PBDNJ në jug dhe faktikisht ia ka marrë. PBDNJ më 2001 doli me deputetë nga Dushku. Kjo votë në sistemin e ri proporcional si mund të shpërndahet, sidomos në Dropull, ku kjo gjë është më e prekshme?
Unë mendoj se do të luajnë rol shumë këta persona dhe vendi i këtyre personave në listat partiake. Një gjë është e qartë, PBDNJ mund të ketë një shans të fitojë në qarkun e Vlorës më shumë sesa në Gjirokastër, por situata e tillë që është krijuar, krijon probleme që përsëri do t’i shpërndajë votat edhe në qarkun e Vlorës. Për mua kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi nuk është e nevojshme që OMONIA të jetë në parlament për të bërë politikë, për mua ajo që është e rëndësishme është që minoriteti grek për arsye të grupeve të caktuara ndihet i viktimizuar. Është abuzim të quash PBDNJ parti e minoritetit grek në Shqipëri. Po ta vëmë re, postet më të rëndësishme zgjidhen tutje zonës së banuar nga minoriteti kompakt. E mira është që OMONIA të ketë rolin primar në promovimin e liderëve, por jo të diktimit dhe duke u marrë vesh me partitë politike shqiptare, se cilët do të jenë ata përfaqësues.
OMONIA aktualisht drejtohet nga Bollano dhe në riorganizimin që do të bëhet në vjeshtë, ai do të jetë një nga kandidatët?
Po, patjetër.
Si është më e lehtë të bësh karrierë në OMONIA, duke mbajtur qëndrime nacionaliste apo të jesh një lider me mendje të hapur e të bashkëpunosh?
Në radhë të parë nuk duhet të harrojmë shqiptarizimin e jetës politike të OMONIA-s dhe të minoritetit. Vijmë tani te faktori “Bollano”. Dhe unë jam dakord me analizën që po bëhet. Ka një plan të dyfishtë, se është e vërtetë se, nëse deklaron një nacionalizëm të theksuar, kjo pi ujë në disa qarqe në Greqi, që nuk përbëjnë politikë, por që ndikojnë në politikë. Këto janë shoqata, lobime dhe është e vërtetë që nuk përbëjnë politikë dhe dalin totalisht jashtë loje, megjithatë ndikojnë, për arsye se pas asaj kapen shumë njerëz për të mbijetuar politikisht. Vetë Bollano lëviz në këto trase. Bollano na shfaqet në Greqi dhe në Shqipëri, se i mëshon kësaj alternative, por, po ta vëmë re, nga ana tjetër ndodh diçka që gjithçka e bën për të ndodhur ato që ndodhin në Himarë me çështjen e pronave. Në Greqi nuk kanë kohë të merren me gjëra të tilla, ne na duket sikur e gjithë vëmendja e Greqisë është te ne dhe kjo varet se si filtrojnë gjërat. Greqia është e ndërgjegjësuar se çfarë po ndodh aktualisht në Himarë, pasi e ka provuar gjatë gjithë kohës në minoritetin grek. Pasi gjatë gjithë kohës ndodhte kështu. Dilnin ca njerëz dhe bërtisnin se do të bashkoheshim me Greqinë, dhe kemi histori shumë të rënda në historinë e marrëdhënieve. Këto ishin kërcënime të rënda, pasi kishin dhe një prapavijë nga vete shteti shqiptar. Minoriteti ishte minoritet dhe e ndjente këtë presion dhe filluan të largohen. Sot, ne kemi një minoritet që nuk shfaq një kompaktësi nacionale, por i është rikthyer metodave të periudhës së monizmit, që duke mënjanuar identitetin etnik të mund të përfitonte, të jetonte në Shqipëri ose të largohej në Greqi. Pikërisht kjo është përgjegjësia historike e lidershipit politik të minoritetit grek, sidomos të Dules, që po e udhëheq atë që nga viti 1996.
Mos jeni duke thënë se zoti Dule bëri një provë force për t’i dëshmuar elitës së partisë së tij se, ose Berisha do të pranojë njeriun e vet, ose rruga për t’u bashkuar me palën tjetër është e hapur?
Kjo është një skemë e njohur dhe Dule, duke humbur qetësinë dhe duke humbur përkrahjet që i sigurojnë lëvizjet e tij të lexuara, u duk kaq shumë i zbuluar në këto momente dhe krizën nuk e përjeton as Berisha dhe as Kosta Barka, por e përjeton vetëm Dulja, pasi po i duket se po humbet gjithçka. Lëvizjet e Dules nga e majta në të djathtë nuk janë karakteristikë e minoritetit, por janë karakteristika të Dules.
PBDNJ, partia që mbeti brenda OMONIA-s
Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut është themeluar pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të marsit 1992, pasi parlamenti i atëhershëm i Shqipërisë në një paketë kushtetuese që miratoi ndalonte partitë me baza etnike dhe fetare. Ajo u bë kështu trashëguesja politike e OMONIA-s, organizatë politike e pakicës greke në Jug të Shqipërisë, e cila konkurroi si organizatë dhe fitoi pesë deputetë në zgjedhjet e para pluraliste të Shqipërisë, më 31 mars 1991.
Kryetari i parë i kësaj partie, Vasil Melo, ishte një nga figurat më interesante të skenës politike në Shqipëri. Një ish-gazetar disident i kohës së komunizmit, i kulturuar dhe mjaft realist në vizionin e tij për minoritetin grek në Shqipëri, ai u përpoq të reformojë frymën nacionaliste të OMONIA-s në një parti që të fokusohej te të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, një e drejtë universale, ku mund të gjente vend dhe lufta për të drejtat e pakicës greke në Shqipëri. Megjithëse qëndroi në opozitë, ai ishte luajal me qeverinë e kryeministrit Aleksandër Meksi, së paku deri në vitin 1994.
Pas referendumit të humbur për Kushtetutën e vitit 1994, projekt që parashikonte një kryepeshkop me origjinë dhe kombësi shqiptare në krye të Kishës Ortodokse, partia e tij mbajti distancë nga qeveria deri në vitin 1996. Por, pavarësisht kësaj, ai ishte një amortizues i krizës shqiptaro-greke që kishte nisur pas arrestimit të pesë veprimtarëve të pakicës greke në Shqipëri, në mes të vitit 1994. Pas një procesi zgjedhor të dështuar, siç ishte ai i 26 majit 1996, Vasil Melo dhe partia e tij u përpoqën të vendosnin një lloj ekuilibri edhe mes forcave politike shqiptare, por pa ndonjë rëndësi të veçantë. Ai iu bashkua koalicionit të majtë në vitin 1997, por vetë nuk u përfshi në qeveri.
Ai ishte zëri më i fortë kritik nga koalicioni në pushtet kundër arrestimit të Sali Berishës më 28 nëntor 2000. Raportet e tij me koalicionin e majtë vazhduan me prezencën në qeveri, por jo me një gjatësi vale në jetën politike. Në zgjedhjet problematike të vitit 2001, partia e tij u agresua fort në Dropull dhe Sarandë dhe ai u gjend në parlament falë formulës së Dushkut. Dropullin dhe Sarandën e fituan socialistët.
Pas vdekjes së tij në pranverë të vitit 2002, Partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut pësoi një krizë. Një fraksion i saj, i drejtuar nga Grigor Karamelo, nuk pranoi liderin e ri të kësaj partie, Vangjel Dule, i cili kishte kohë që kish nisur luftën për spostimin e Vasil Melos.
Vangjel Dule ishte një yll në ngjitje brenda pakicës greke. Student i dhjetorit të vitit 1990, ai nuk i përkiste as brezit komunist të pakicës greke. I afruar dukshëm me kryepeshkopin Janullatos në fillim të viteve ‘90 dhe nën bekimin e tij, pas disa trajnimesh afatshkurtra rreth kulturës helene dhe helenizmit, ai nisi të ngjisë shkallët e karrierës brenda strukturave politike të pakicës greke. Inteligjent dhe me aftësi të dukshme për të qenë lider edhe në kushtet e mungesës së përvojës, ai arriti të tejkalojë tronditjen që solli ndarja e fraksionit të Grigor Karamelos. Forcoi dukshëm marrëdhëniet me socialistët dhe amortizoi disa fërkime që u ngjallën mes Athinës dhe Tiranës, sidomos për zgjedhjet e vitit 2003 në Himarë.
Pas fitores së Nea Demokracisë në Athinë, Dule filloi të hedhë sytë nga PD. Ai ka inkurajuar lidhjet e Nea Demokracisë me PD dhe i ka parë lidhjet personale të Berishës me Karamanlisin si një rast për t’u faktorizuar. Ai ka ndihmuar në afrimin e mëtejmë të dy liderëve të partive simotra dhe kjo ia bëri shumë të lehtë pjesëmarrjen në qeverinë ‘Berisha’ në vitin 2005, edhe pse dy deputetët e tjerë të partisë së tij ishin dy ish-ministra socialistë.
Një vit pas ardhjes në pushtet Berisha u prit në Athinë me gjithë nderimet e mundshme duke u fshirë imazhi i tij si nacionalist antigrek. Vangjel Dule kishte këtu rolin e vet. Ndërkohë, Berisha nisi të krijojë lidhje direkt me Vasil Bollanon si kryetar bashkie në Himarë, Kosta Barkën, si ministër të tij dhe të zgjedhur të tjerë lokalë. Po ashtu, Greqia nisi të komunikonte direkt me Tiranën pas klimës pozitive të krijuar mes dy vendeve. Roli klasik i PBDNJ filloi të zbehej.
Në këto kushte, fare papritur Vangjel Dule shkarkon ministrin Barka me arsyetimin se ka fyer autoritetin e partisë, duke shkarkuar nga puna një zyrtar të saj. Dhe pa e zgjatur ai e propozoi Andrea Marton si kandidat në vend të Kosta Barkës.
Ministri Barka, i cili u gjend i braktisur, shpresoi deri në fund se Berisha do ta mbronte. Por dhe ky i fundit është i detyruar të respektojë vendimet e partisë aleate.
Bollano, i cili mund të rezistonte në emër të OMONIA-s, po ashtu është i detyruar të mbështesë Dulen, pasi pas një muaji do të jenë zgjedhjet për strukturat e kësaj organizate. Sakrifikimi i ministrit Barka u kthye kështu në një test për fuqinë politike të Vangjel Dules si lider i kësaj partie. Dhe duket se betejën e fitoi, edhe pse mund të ketë prodhuar kosto të madhe, duke krijuar çoroditje dhe zemërim në disa segmente të pakicës greke në jug të Shqipërisë.