E Hënë, 2 Nëntor 2026

Edi Paloka, kandidat për deputet në njësinë 3, Tiranë

17/04/2005  Edi Paloka është prezantuar dje nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, si kandidat për deputet i opozitës në njësinë bashkiake numër 3 në Tiranë. Paloka në këtë zonë elektorale do të ketë përballë drejtorin e Doganave, Shpëtim Idrizi. Në fjalën e tij, lideri Berisha tha se Paloka do të jetë një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt në qeverisjen e ardhshme. Lideri demokrat u kërkoi aktivistëve të PD-së në këtë zonë mbështetje maksimale për kandidatin e kësaj partie. “Do të doja t'ju thoshja se fitorja e Edi Palokës është e një rëndësie të madhe, pasi ky kandidat i PD-së, së bashku me disa të tjerë, janë ata që do të përballen me krimin ekonomik. Fitorja e Palokës përballë Shpëtim Idrizit, Olldashit përballë Dukës, Memisë përballë Harasanit, Pangos përballë Angjelit, apo Fatos Hoxhës në Kukës etj., kanë rëndësi të veçantë, pasi këta janë personat që do të ndalojnë pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit nëpërmjet mandateve të deputetëve”, tha Berisha. Lideri demokrat u kërkoi të pranishmëve që të thellojnë punën me elektoratin në bazë, si dhe të shikojnë me seriozitet problemin e listave të zgjedhësve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›