LSI miraton 30 kandidat për deputet
17/04/2005 Kryetari i LSI-së, Ilir Meta zyrtarisht do të kandidojë për të pestën herë në Skrapar. Ndërsa po dje në prani të qindra anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI në zonën e Çërravës, Pirgut, Podgorijes etj, prezantoi në Pirg të rrethit të Korçës Nënkryetaren e LSI-së, Filloreta Kodra si kandidate për deputete të kësaj zone. Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka miratuar 30 emrat e parë të kandidatëve për deputetë, ndërsa pjesa tjetër e listës do të bëhet publike në konventën elektorale të LSI-së. Kjo forcë politike në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere synon që kandidatët e saj për deputetë të sigurojnë rreth 40 vende në Kuvendin e ardhshëm, në mazhoritar. LSI-ja synon që 100 kandidatët e saj, përveç votave individuale në sistemin mazhoritar, të sigurojnë vota për partinë. Nga proporcionali, LSI-ja pretendon që të kapë një përqindje të lartë të votave nga elektorati. Pas ndarjes nga Partia Socialiste drejt LSI-së ka kaluar një pjesë e elektoratit socialist. Ndërsa në konventën elektorale, e cila do të mblidhet në mes të muajit maj, priten të miratohet platforma elektorale e kësaj partie. Ndërkohë që kjo parti po konsolidon strukturat e saj në të gjitha degët dhe nëndegët e vendit, duke shtrirë strukturat e saj dhe në nivel qendrash votimi. Dje, sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në LSI, Edmond Haxhinasto, ka shprehur shqetësimin e forcës së tij politike lidhur me procesin e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, të Shqipërisë. Duke iu referuar letrës, që komisioneri Olly Rehn, i ka dërguar Kryeministrit Nano, Haxhinasto tha se “letra e komisionerit Rehn tregon se qeveria ka mashtruar publikun shqiptar kur, në më shumë se një rast, ka deklaruar se Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit do të konkludohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti“. Sipas Hxhinastos, “qeveria aktuale reagon me papërgjegjshmëri të plotë ndaj paralajmërimeve të përsëritura nga ana e BE-së për mungesë progresi në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në funksionimin e gjyqësorit apo në administratën doganore“.