Edi Rama: “Berisha të hetohet për tragjedinë e Gërdecit”
Kryetari i PS-së kërkon marrjen në pyetje nga Prokuroria të kryeministrit. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste mblidhet në Bashkinë e Vorës
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar nga kryeprokurorja Ina Rama që të marrë në pyetje dhe të hetojë kryeministrin Sali Berisha për tragjedinë e Gërdecit. Deklarata kryesocialistit Rama ka ardhur pas publikimit të dokumentit të Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili disa ditë përpara shpërthimeve tragjike në Gërdec kishte vënë në dijeni kryeministrin Berisha për rreziqet që paraqiste fabrika e demontimit të armëve në këtë fshat. Rama akuzoi Berishën se është fajtor dhe përgjegjës për tragjedinë, për shkak se ka heshtur dhe nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar atë.
“Kemi kërkuar shprehimisht që kryeministri të marrë përsipër përgjegjësinë politike dhe morale për atë tragjedi ku qeveria e tij ka barrën e fajit dhe ku ai është kryefajtori, qoftë edhe për faktin se nuk dinte asgjë, edhe pse jo më larg se dje, një dokument i bërë publik tregoi që zoti kryeministër ka marrë informacion të qartë për Gërdecin para se të ndodhte tragjedia e ky dokument i bërë publik dje na bën që sot ne të përsërisim në adresë të prokurores së Përgjithshme që drejtësia duhet të bëhet e plotë, e vërteta duhet të dalë e plotë. Duke nxjerrë të vërtetën është e domosdoshme që kryeministri Sali Berisha të sqarojë para prokurores së Përgjithshme këtë fakt, informacionin shkresor që ka marrë para tragjedisë për Gërdecin dhe heshtjen e plotë që ka pasuar. Mosveprimin e plotë që ka pasuar me pasojë vetë tragjedinë”, - tha Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila u zhvillua dje në Bashkinë e Vorës.
Kreu i selisë rozë e quajti të turpshme refuzimin e kryeministrit Berisha për të dhënë dorëheqjen pas tragjedisë së Gërdecit. “Është në turpin e tij të vazhdojë të qëndrojë duke u kapur pas karriges, sipas nesh, jo thjesht për të ruajtur pushtetin, por për t’ju ruajtur së vërtetës që fsheh krateri i Gërdecit”, - deklaroi Rama.
Mbledhja e Asamblesë
Kryetari i Partisë Socialiste shpjegoi se jo pa qëllim ishte zgjedhur Bashkia e Vorës për të zhvilluar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Rama tha se kjo mbledhje në Vorë bëhej në shenjë solidariteti me banorët që u prekën nga tragjedia e Gërdecit. “Ne këtu nuk jemi rastësisht dhe as sepse nuk kishim një hapësirë tjetër, ku të bënim këtë mbledhje të Asamblesë, por për të nënvizuar publikisht me praninë tonë këtu, qoftë solidaritetin me banorët e zonës, qoftë angazhimin për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së një ngjarjeje tragjike për shkaqe jo natyrore dhe nga ana tjetër për të mbështetur deri në fund të gjithë të mbijetuarit e asaj tragjedie së bashku me banorët dhe sipërmarrësit e zonës së dëmtuar nga bombardimi i beftë, që erdhi si rezultat i shpërthimit të vullkanit të korrupsionit në Gërdec”, - tha ai.
Ligj për dëmshpërblimet
Kryesocialisti Rama kërkoi gjithashtu nga qeveria që të realizojë dëmshpërblimin e plotë për banorët dhe sipërmarrësit që u dëmtuan nga shpërthimet e ndodhur në Gërdec. Madje për këtë, kryetari i Partisë Socialiste shtoi se Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë një nismë ligjore, e cila do të angazhojë qeverinë për të kompensuar deri në fund, të dëmtuarit nga shpërthimet.
“Nisma ligjore është e vetmja përgjigje që mund t’i jepet kësaj pikëpyetje, që është duke u rritur mbi kokat e gjithë atyre njerëzve që sot janë pa shtëpi, që sot janë të strehuar në godina të vëna në dispozicion të tyre, apo tek të afërm dhe miq dhe që sot, ashtu si kundër e theksoi dje edhe ambasadori i SHBA-ve, nuk mund të kthehen në këtë zonë që vazhdon të paraqesë rrezikshmëri të lartë për një sërë arsyesh. Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të marrë përgjegjësinë të miratojë nismën dhe të angazhojë ligjërisht qeverinë për t’iu përgjigjur deri në një të gjitha nevojave të banorëve”, - tha në fjalën e tij kryetari i PS-së Edi Rama.
9 Prill 2008