E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma zgjedhore, të majtët sinjale negociatash, por konsensusi mbetet larg



Debati dhe mosmarrëveshjet midis partive të opozitës vazhdojnë të thellohen edhe më tej, ndërsa konsensusi duket i largët përsa i përket zgjedhjes së një qëndrimi të përbashkët për reformën zgjedhore. Partia Socialiste nuk lëshon pe përsa i përket propozimit të saj për sistemin proporcional rajonal, ndërkohë që aleatët e vegjël, edhe pse japin sinjale negocimi, shprehin kundërshtinë e tyre ndaj sistemit të propozuar nga socialistët.
Dje ka qenë kryetari i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo, i cili ka kërkuar mbledhjen e tryezës së kryetarëve të partive opozitare për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve për reformën zgjedhore. “Në emër të PDS-së i bëj thirrje publike, miqësore Edi Ramës që të mos dëgjojë zërat e sirenave të përçarjes të së majtës, që do ta mbajnë larg të majtës së re dhe politikës së re dhe do të donin edhe për 4 vjet shqiptarët që duan të shohin largimin e kësaj qeverie. I bëj thirrje që të mbledhë urgjentisht tryezën e partive opozitare, madje nesër, për të diskutuar e për të vendosur një taktikë të përbashkët për ndryshimet kushtetuese dhe elektorale. Ne propozojmë një korrigjim në amendamentet e propozuara nga PS-ja, vendosjen e sistemit proporcional por jo rajonal, por proporcional klasik”, - deklaroi dje Milo. Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët për iniciativën e kreut të PDS-së, Paskal Milo, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha: “Nëse zoti Milo do t’i shkojë deri në fund kësaj iniciative dhe ai shpreson se mund të ketë një rezultat pozitiv, LSI do ketë përfaqësuesin e saj, pasi ne nuk bojkotojmë asnjë iniciativë që vjen jo vetëm nga një përfaqësues i politikës shqiptare dhe opozitare, të cilin ne e respektojmë si zoti Milo, por edhe po të vinte nga një forcë e djathtë, çdo iniciativë që synon të shmangë shkatërrimin e zgjedhjeve që po përgatit Rama-Berisha ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, pasi bëhet fjalë për zgjedhjet e shqiptarëve, bëhet fjalë për votën e tyre”, - tha Meta. Edhe kryetari i PAD-së shprehu gatishmërinë për t’u ulur në bisedime dhe për të zgjidhur ngërçin e mosmarrëveshjeve me Partinë Socialiste për reformën zgjedhore. Gjithsesi, kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë zhvillimit të mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare theksoi se Partia Socialiste insistonte për përzgjedhjen e sistemit rajonal proporcional, pasi sipas tij ky sistem do të evitonte deformimet dhe abuzimet që kanë ndodhur me proceset zgjedhore në Shqipëri. “Ne kemi bërë një propozim dhe këtë propozim e kemi bërë në dritën e diellit, në bazë të Kushtetutës dhe duke mbrojtur idenë tonë, se Shqipëria duhet të kalojë nga një sistem zgjedhor me zona një-emërore në një sistem zgjedhor me zona shumemërore, në një proporcional rajonal”, - deklaroi Rama, i cili u shpreh se propozimi i këtij sistemi kishte ardhur pas vendimit unanim të kryesisë së Partisë Socialiste.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›