E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Paaftësia e qeverisë po dëmton ekonominë e vendit”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka komentuar raportin më të fundit të “Komisionit De Soto”, ku Shqipëria rezulton si një vend me ekonomi të kapur nga informaliteti dhe korrupsioni. Kreu i LSI-së akuzoi qeverinë “Berisha” se ka dështuar dhe është treguar e paaftë për të rritur nivelin ekonomik të vendit. “Ekonomia nuk po rritet dhe zhvillohet sa duhet. Vendit, me këto ritme, do t’i duheshin 14 vjet për të dyfishuar të ardhurat për frymë dhe 40 vjet për të arritur nivelin e të ardhurave mesatare të Eurozonës dhe 17 vjet për të arritur të ardhurat për frymë të Kroacisë. Reformat e ndërmarra nga qeveria nuk janë të mjaftueshme për të çliruar potencialin ekonomik të vendit, nismat e qeverisë nuk i kanë zgjidhur problemet për të cilat janë ndërmarrë”, - deklaroi Meta.
Kreu i LSI-së komentoi gjithashtu sistemin ligjor të aplikuar nga qeveria, një sistem që sipas tij nuk e inkurajon aspak, por e dëmton biznesin, dhe kryesisht biznesin e vogël.
“Sistemi ligjor mbetet armiqësor ndaj biznesit të vogël sa i takon problemit kyç të taksave, licencave të biznesit etj., aq shumë sa komuniteti i biznesit parapëlqen të mbetet i vogël dhe informal”, - deklaroi Meta.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›