E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Jo parti të reja, bashkim përtej kufijve të partive

 

Kreu i PS-së, Edi Rama, u kërkoi shqiptarëve nga Veriu i vendit të mos bashkohen me partitë e tjera politike, por të krijojnë një “aleancë përtej të majtës dhe të djathtës”. “Nuk është koha për t’u ndarë në dhjetëra parti, por është koha për t’u bashkuar në emër të fëmijëve tanë, përtej kufijve të partive dhe për t’i thënë politikanëve të vjetër që vazhdojnë të ushqejnë dasi, sherr, me fyerje, me shpifje, baltë dhe që nuk janë në gjendje të thonë se çfarë kanë bërë dhe se çfarë do të bëjnë për bukën e përditshme të familjeve shqiptare. Pasi, kjo politikë nuk na duhet më”, u shpreh Rama gjatë një takimi në fshatin Kaldrun të komunës Qendër në Veri të vendit. Kreu socialist gjatë dialogut me banorët ka kërkuar sugjerime prej tyre për mënyrën se si mund të ngrihet fshati shqiptar. “Jam në pritje të të gjithë fjalëve tuaja, duke ju siguruar se të gjitha këto qindra takime, këto dhjetëra mijëra kilometra të bëra nëpër Shqipëri, këta dhjetëra mijëra njerëz që kam takuar dhe vazhdoj të takoj së bashku me miqtë dhe shokët e mi, janë një mundësi e jashtëzakonshme për ta kuptuar Shqipërinë, hallet dhe problemet e njerëzve, jo teorikisht, por me mish e shpirt dhe për të arritur që së bashku të shkruajmë dhe të realizojmë një program të madh ndryshimi, që duhet të fillojë nga fshati”, tha Rama. Kreu socialist premtoi një program të ri, i cili do të hapë një epokë të re në fshatin shqiptar, pavarësisht largësive gjeografike me kryeqytetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›