LSI: Vota, reagim i ashpër popullor
Aristir Lumezi
Kryesia e LSI-së vendosi për një reagim të ashpër popullor në mbrojtje të votës së lirë. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha dje se LSI nuk do lejojë të cenohet vota e shqiptarëve si në 1996. Për këtë ditën e hënë do të mblidhet Konventa e jashtëzakonshme e kësaj partie, e cila do të marrë vendimet e mëtejshme për rrugët e mbrojtjes së zgjedhjeve të lira. “Kryesia e LSI ka vendosur unanimisht fillimin e një reagimi mbarë popullor shumë të ashpër dhe të pandalshëm deri në rivendosjen e legjitimitetit të votës së lirë dhe demokracisë në vend. Kryesia ka vendosur thirrjen e Konventës së Jashtëzakonshme të hënën në orën 12:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Berisha dhe Rama, këta dy fashistë dhe diktatorë si dhe kasta që ata përfaqësojnë, le ta dinë sot se ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë funksionimin e atij parlamenti që, pasi zhbëri Kushtetutën kërkon sot të zhbëjë edhe votën e shqiptarëve dhe as plumbat e dhuna e tyre nuk na ndal dot, po jua përsëris, as plumbat e tyre nuk kanë për të na ndalur dot”, tha Vasili. Sekretari i LSI-së bëri përgjegjës për këtë situatë krerët e dy partive kryesore, Sali Berishën dhe Edi Ramën, të cilët po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në konsensus të plotë. “Aventurierët Rama dhe Berisha, të cilët pasi grabitën dhe plaçkitën pronën publike, ndanë parkingjet, kullat e Tiranës dhe çdo gjë që kishte vlerë në kryeqytet, duke e shndërruar Tiranën në çifligun e tyre, sot duan të vjedhin edhe votën e shqiptarëve, të fundit pasuri që ata kanë duke shndërruar vendin në një diktaturë monstër me dy koka.
Komploti i madh kundër votës së lirë i gatuar nga Rama dhe Berisha ka vetëm një qëllim, përjashtimin e LSI-së, njërës prej tre forcave më të mëdha politike në Shqipëri nga procesi i administrimit dhe numërimit të votave dhe vjedhjen e tyre në tavolinë, ashtu siç bënë edhe në 3 korrik 2005", tha Vasili. Sipas tij, ky komplot është sot një rrezik shumë i madh real kundër demokracisë, e cila është goditur në zemër si dhe kundër të gjithë shqiptarëve, sepse ka vetëm një synim, konsolidimin e një kaste politike mafioze me dy koka, duke u hequr të drejtën shqiptarëve të votojnë alternativa të tjera politike të pastra dhe që e kanë atdheun gjënë më të shtrenjtë të tyre. LSI i bëri sërish thirrje Edi Ramës të tërhiqet nga skema e manipulimit të votës së shqiptarëve përmes skemës së re të KQZ-së. “Ne jemi këtu për të paralajmëruar për herë të fundit Edi Ramën, njeriun e pabesë, këtë dhunues të njohur, që pasi betonizoi çdo metër katror të Tiranës, pasi plaçkiti parqet e fëmijëve dhe i ktheu ato në pallate, pasi shqeu e degjeneroi Kushtetutën, pasi asgjësoi edhe klubet sportive dhe çdo gjë të mirë për rininë e kryeqytetit, që të largojë duart e pista nga vota e shqiptarëve, se fundi i tij do të jetë shumë i keq dhe as arratisja nga Shqipëria nuk do t’i zgjidhte punë”, tha Vasili. Ai paralajmëroi edhe Sali Berishën, “njeriun që vodhi votat e shqiptarëve në 1996 dhe paratë e tyre në 1997, të mos guxojë të prekë përsëri votën e shqiptarëve, se fundi i tij do të jetë shumë i keq”.