Topalli mbështetje për sportistët e merituar
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi të shtunën me sportistët kampionë të ekipit të boksit të të rinjve të “Vllaznisë”, premtoi mbështetje për sportistët që nderojnë vendin. Sipas njoftimit për shtyp, sportistët boksierë gjatë bisedës me Kryetaren Topalli diskutuan jo vetëm për sportin, por edhe për çështje në interes të të rinjve. “Ekipi juaj, por edhe të gjithë sportistët, që me pasion e përkushtim nderojnë Shqipërinë në kampionate brenda e jashtë vendit, janë krenari për të gjithë ne. Me arritjet tuaja ju jeni përçues të imazhit të Shqipërisë në mbarë botën”, tha Topalli, ndërsa vuri në dukje “vëmendjen maksimale të Qeverisë për sportin dhe se mbështetja e merituar nuk do të mungojë”. Trajneri i ekipit, Zef Gjoni, por edhe përfaqësues të sportit në Shkodër, evidentuan me krenari faktin se Shkodra është qyteti më sportdashës në të gjithë Shqipërinë, qytet ku numërohen 12 sporte të financuara nga Bashkia dhe 18 sporte të rangut kombëtar. Ekipi i boksit për të rinj i “Vllaznisë”, një prej ekipeve më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë, ka fituar disa medalje evropiane. Ai është 14 herë kampion i Shqipërisë, nga 17 kampionate që janë zhvilluar dhe 16 herë kampion i Kupës së Republikës. Të rinjtë boksierë i dhuruan Kryetares së Kuvendit një kupë simbolike.