Kreu i ekzekutivit thellon krizën: Duka e ka kthyer Federatën në çiflig
Kryeministri Sali Berisha duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga lufta e tij personale ndaj drejtuesve të FSHF-së, pavarësisht pezullimit të Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA. Ndonëse këto organizata ndërkombëtare bënë të qartë se masa ishte marrë për arsye të sulmeve politike ndaj drejtuesve të FSHF-së dhe autonomisë së këtij institucioni, kreu i ekzekutivit ka vendosur të vijojë rrugën e tij, pa marrë parasysh pasojat dhe dëmet që i shkakton kjo futbollit shqiptar.
"Ne po zbatojmë me rigorozitet ligjet e vendit dhe po shqyrtojmë të gjitha pasojat e mafies në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo qeveri qëndron plotësisht në mbështetje të sportit, por sportin që zhvillohet sipas rregullave dhe ligjeve transparente, jo atë të shitjes së ndeshjeve dhe të tradhtisë së hapur ndaj mijëra e mijëra fansave dhe tifozëve. Kjo është e patolerueshme", ishte deklarata e parë e Kryeministrit Berisha rreth ngjarjes që ka tronditur futbollin shqiptar. Normalisht, një akuzë e tillë nuk do të lërë shije të mirë te drejtuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, të cilët nuk tolerojnë ndërhyrjen e politikës në sport, ashtu siç e kanë bërë të qartë edhe para drejtuesve të Bashkimit Evropian gjatë muajve të fundit. Nëse deri pak ditë më parë shteti shqiptar mohonte çdo sulm personal ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka, Kryeministri Berisha nuk i ka rezistuar tundimit, duke bërë akuza të rënda, që normalisht nuk e qetësojnë situatën e krijuar pas pezullimit. Berisha, në vend që të përpiqej të qetësonte situatën, nuk ka folur rreth mënyrës për të bindur FIFA-n të hiqte pezullimin ndaj Shqipërisë, por ka vijuar me sulmet e tij personale ndaj drejtuesve të FSHF-së.
"Ne do ta bëjmë çdo gjë transparente para qytetarëve shqiptarë, por situata është që Duka e shndërroi federatën në çifligun e Klanit të Zemunit. Do përfundojnë të gjitha inspektimet, kontrollet me ligj dhe do të bëhen publike për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët. Kjo është e vërteta, por natyrisht gjithçka do bazohet mbi fakte konkrete. Ato që kanë ndodhur më parë me disa ndeshje të kombëtares nuk mund të përsëriten më, po e përsëris nuk mund të përsëriten më. Nuk mund të jetë futbolli shqiptar çiflig i Klanit të Zemunit", u shpreh Berisha para gazetarëve, duke bërë tashmë më se të qartë se iniciativat shtetërore ishin vijim i luftës së fshehtë ndaj kreut të FSHF-së.
Me deklaratën e tij, Berisha bëri të qartë se shteti shqiptar do të vazhdonte kontrollet në FSHF, duke u shprehur i bindur për rikthimin e shpejtë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. "Shqipëria do të luajë dhe do të shkëlqejë, por ata që kanë shitur ndeshjet dhe janë marrë me afera mafioze, duke shfrytëzuar futbollin shqiptar, nuk do të lejohen që të pengojnë Shqipërinë", deklaroi ai rreth pezullimit të Shqipërisë. Normalisht, kjo deklaratë e Kryeministrit shqiptar do të kalojë edhe zyrat e FIFA-s dhe UEFA-s, duke mos lënë një shije të mirë ndaj drejtuesve të futbollit ndërkombëtar. Ata kanë bërë të qartë se çdo insistim i mëtejshëm i shtetit shqiptar në kontrollin ndaj FSHF-së apo mosfirmosjen e statusit, do të mbajë në fuqi pezullimin e vendit tonë.