Katastrofa në Gërdec, futbolli mban frymën
Futbolli shqiptar ka vendosur të respektojë viktimat e tragjedisë së Gërdecit, duke anuluar menjëherë të gjitha ndeshjet e planifikuara gjatë kësaj fundjave. Dje ishin parashikuar të luheshin takime të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, por gjatë mesditës, pas përhapjes së lajmit për shpërthimin në depon e municioneve, drejtuesit e FSHF-së kanë marrë vendimin urgjent për të ndërprerë menjëherë kampionatin, për të respektuar viktimat dhe të prekurit nga kjo katastrofë e rëndë për Shqipërinë. Ndeshjet e kampionateve shqiptare ishin planifikuar të luheshin në orën 15:00, por drejtuesit e FSHF-së dhe vetë klubet shqiptare e kanë parë të arsyeshme që në një situatë të tillë ishte e paimagjinueshme që skuadrat të zbrisnin në stadiumet dhe fushat e futbollit. FSHF ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me klubet, duke kontrolluar situatën, ndërsa në orën 13:15 ka marrë vendimin për pezullimin e kësaj jave të kampionatit. "Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu si i gjithë opinioni publik shqiptar, po ndjekin me hidhërim dhe dhimbje të thellë zhvillimin e ngjarjeve në Gërdec, ku pas një shpërthimi të një depoje municioni, ka pasur shumë të lënduar dhe viktima. Duke u njoftuar për ngjarjen, menjëherë, Federata Shqiptare e Futbollit, presidenti i FSHF-së dhe Komiteti Ekzekutiv shprehin solidaritetin e tyre të thellë dhe dhimbjen për ngjarjen e ndodhur. Duke parë këtë situatë emergjente, ata vendosën të ndërpresin zhvillimin e të gjitha ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore. Gjithashtu, nuk do të zhvillohen edhe ndeshjet e radhës, të kampionateve të Kategorisë së Parë, të Dytë, kampionatet kombëtare U-17 e U-19 dhe Kampionati i Futbollit Amator, të parashikuara për t‘u luajtur të shtunën dhe të dielën. Edhe njëherë tjetër, FSHF shpreh dhimbjen e saj të thellë dhe i lutet Zotit që t‘jua lehtësojë dhimbjen të lënduarve në aksidentin e rëndë të Gërdecit", shkruhej në komunikatën e publikuar nga zyra për shtyp e FSHF-së. Të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të shtyhen në një datë të papërcaktuar ende nga Sektori i Garave në FSHF. Ndërkohë, pritet që futbolli t‘i bashkohet iniciativave në mbështetje të viktimave të Gërdecit, si dhe të respektojë ata që humbën jetën tragjikisht në këtë katastrofë, duke mbajtur një minutë heshtje në fillimin e ndeshjeve të javës së ardhshme. Futbolli shqiptar ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj tragjedive të tilla dhe e ka treguar një gjë të tillë edhe një javë më parë, pas ngjarjes në Farkë, ku humbën jetën 16 persona. Në të gjitha stadiumet u mbajt një minutë heshtje për viktimat e asaj tragjedie absurde.