Partia Agrare, drejt përjashtimit nga zgjedhjet
PS dorëzon pranë Kolegjit Zgjedhor, kërkesën për çregjistrimin e listave të PAA-së si jo në përputhje me Kodin Zgjedhor. Nuk plotësoi kuotën për femrat në qarkun e Fierit, Shkodrës dhe Gjirokastrës
TIRANË- Pas përjashtimit të Partisë së Punës së Shqipërisë nga e drejta për të garuar në zgjedhjet e 28 qershorit, edhe një forcë tjetër rrezikon të njëjtin fat.
Bëhet fjalë për Partinë Agrare Ambientaliste të kryesuar nga Lufter Xhuveli, aleate e Partisë Demokratike në koalicionin "Aleanca e Ndryshimit", konkurrimi i së cilës prej ditës së djeshme mbetet në dorë të Kolegjit Zgjedhor.
Partia Socialiste, në limitet kohore që lejon ligji zgjedhor, ka apeluar dje në orët e vona të ditës, vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me anë të cilit u pranua që të regjistroheshin listat shumemërore të Partisë Agrare Ambjentaliste, duke kërkuar rrëzimin e tij.
Shkelja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në mbledhjen e tij të datës 28 qershor, megjithëse jo plotësisht në përputhje me ligjin zgjedhor, listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Agrare Ambientaliste, megjithëse kjo e fundit nuk kishte plotësuar numrin e duhur të përfaqësueseve femra në të.
Disa ditë më parë, KQZ-ja kishte kthyer listën e kësaj force me qëllim plotësimin e numrit të nevojshëm të kandidatëve femra, duke i lënë kohë deri në datën 27 maj, datë e cila korrespondonte edhe me përfundimin e afatit të dorëzimit të çdo liste.
Në mbledhjen e datës 28 maj, anëtarët KQZ-së, miratuan listat e reja të kësaj force por pa vënë re se në tre qarqe, dhe konkretisht në Fier, Shkodër dhe Gjirokastër nuk ishte respektuar detyrimi për të pasur përfaqësimin e duhur të grave në të.
Kështu, në listën shumëemërore të qarkut Fier nga 14 kandidatë janë vetëm 4 femra, në listën e Gjirokastrës nga 5 kandidatë është vetëm një kandidate femër, dhe në listën e qarkut Shkodër nga 11 kandidatë janë vetëm 3 femra.
Është dashur ndërhyrja e përfaqësuesve socialistë në KQZ që të evidentohej një problem i tillë, ç'ka ka detyruar fillimisht KQZ-në në atë mbledhje që të pezullojë vendimmarrjen e saj për këtë çështje derisa administrata të bënte verifikimet e duhura dhe për ta diskutuar atë në mbledhjen tjetër.
Por një pakt i tillë nuk është respektuar, dhe KQZ nuk e ka futur më në rend të ditës një çështje të tillë, duke lënë që vendimi për miratimin e listave të PAA-së të hyjë në fuqi në heshtje.
Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës në këtë komision kërcënuan atë seancë se në rast se KQZ nuk rivlerësonte vendimmarrjen e saj për listat e PAA-së, atëherë ata do ta çonin çështjen në Kolegj Zgjedhor.
Ankimimi
Duke iu përmbajtur këtij premtimi përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste kanë mundur dje që të përfundojnë hartimin dhe të dorëzojnë pranë Kolegjit Zgjedhor, kërkesën për shfuqizimin e këtij vendimi dhe çregjistrimin e listave të PAA-së si jo në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur dje për gazetën se kërkesa është plotësisht e argumentuar dhe se ajo denoncon një vendimmarrje të KQZ-së në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Tashmë i mbetet Kolegjit Zgjedhor të vendosë nëse do të marrë parasysh pretendimet e socialistëve apo do të lërë në fuqi vendimin e KQZ-së.
Në rast se Kolegji do të rrëzonte këtë vendim atëherë KQZ-së dhe PAA-së nuk do t'i mbetej më asnjë mundësi për të rregulluar vendimmarrjen për këtë çështje, ç'ka do të sillte si rrjedhojë dhe çregjistrimin e kësaj force nga lista e forcave që garojnë për tu përfaqësuar në Kuvendin e ri që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Listat e PAA-së për 3 qarqet e kontestuara
Shkodër
Lufter Xhuveli
Mark Molla
Myzafer Kraja
Vasita Lumanaj
Rrok Kola
Rasim Suma
Meleke Strica
Fadil Kukaj
Pashk Aliaj
Marije Fermosi
Agim Dardha
Gjirokastër
Lufter Xhuveli
Bekim Sinani
Flora Zharkalli
Riza Mama
Feti Hajredini
Fier
Lufter Xhuveli
Shahim Bejdaj
Perparim Gropa
Ilir Robo
Alfred Balla
Angjelina Mertiri
Besa Goxhaj
Petraq Dafa
Pranvera Hajdini
Ferdinant Cobo
Blerina Topi
Fatos Musaku
Nasi Shurdi
Agim Toromani