E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: “Sulmi ndaj medias, papërgjegjshmëri e kryeministrit”

LSI-ja: “Berisha sulmon mediat për të tërhequr vëmendjen ndaj përgjegjësisë që ka për tragjedinë”
Shaban Sulçe
Kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të medias dhe gazetarëve, të cilët sipas tij e tepruan me qëndrimet e tyre gjatë dhe pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, Berisha nuk ka nguruar që t’i quajë disa gazetarë zëdhënës të mafias, të cilët sipas tij gjatë raportimeve për ngjarjen e Gërdecit bërtisnin “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”. Deklarata e Berishës ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të opozitës, të cilët e kanë akuzuar kryeministrin se duke akuzuar mediat jo vetëm që po cenon fjalën e lirë, por po përpiqet që të tërheqë vëmendjen nga përgjegjësia e tij në tragjedinë e ndodhur në Gërdec.
Berisha
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha hodhi një lumë akuzash në drejtim të përfaqësuesve të medias, duke i quajtur disa prej gazetarëve zëdhënës të mafias dhe abuzues me tragjedinë e Gërdecit. “Por nuk do të isha ky që jam në rast se nuk do të shprehja këtu habi ndaj disa zëdhënësve, mercenarëve të mafies, gazetarë që, duke shkelmuar në mënyrën më të turpshme mbi moralin njerëzor, kërcenin nga gëzimi në ekranet e tyre dhe manipulonin me fatkeqësinë e viktimave, ma thanë edhe familjarët. Kjo ishte e pabesueshme për sytë e mi dhe të atyre të asaj zone, se si këta mercenarë ‘non stop’ bërtisnin “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”. Si njeri i dashuruar pas medias, siç jam dhe i tillë do të mbetem, këtë herë kam ndier dhimbjen e dytë më të madhe kur shihja këta mercenarë, që jo të shumtë, por ekzistojnë, gazetarë e gazetare që hidheshin nga gëzimi e harronin se i shihte një zonë që vërshonte në lot mjerimi dhe dhimbjeje. Kishin marrë në studio të dehur që flisnin përçart, gjëra të cilat nuk i bëjnë nder një vendi të qytetëruar”, - deklaroi Berisha.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka quajtur të paturpshme deklaratat e kryeministrit Berisha, i cili akuzonte mediat dhe gazetarët për raportimin që i kanë bërë tragjedisë së Gërdecit.
Madje, Rama i ka ftuar të gjithë gazetarët që t’i bashkohen protestës që do të organizojë Partia Socialiste kundër kësaj qeverie të papërgjegjshme dhe të korruptuar. “S’mund ta pranojmë kurrë kokulur për kryeministër një zotëri që sot ka paturpësinë të ngrejë edhe zërin kundër burimeve të pavarura të informimit të publikut e atyre qindra vajzave e djemve që po na bëjnë këto ditë shërbimin e çmuar të pasqyrimit e zbardhjes së të vërtetës, gazetarë e kameramanë kurajozë, profesionistë e amatorë, të cilët s’duan të vdesin si skllevër të gënjeshtrave të pushtetit”, - tha Rama.
LSI-PDS
Edhe partitë e tjera të opozitës kanë reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i quajti cinike dhe të pafytyra sulmet e Berishës ndaj medias së lirë. “Nga ana tjetër do të donim të falënderojmë pikërisht sot median, që me kurajë, profesionalizëm, por edhe me shumë humanizëm, kanë informuar dhe kanë dhënë përmasat e vërteta të kësaj tragjedie kombëtare. E kanë bërë këtë duke demaskuar monologjet prej falsifikatori të kryeministrit fajtor.
Ne dënojmë me vendosmëri sulmin e fundit cinik dhe burracak të z. Berisha ndaj mediave të lira, të cilat, ndryshe nga qeveria, kanë meritë të pamohueshme për përcjelljen e ngjarjeve me objektivitet. LSI do të jetë gjithmonë në krah të medias për mbrojtjen e fjalës së lirë veçanërisht në këto momente të jashtëzakonshme”, - tha Xhufi. Ndërkaq, sekretari politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkollari, tha: “PDS-ja dënon me forcë sulmin e pamoralshëm të qeverisë mbi mediat që me aq sakrificë dhe profesionalizëm pasqyruan dhe zbardhën një ndër tragjeditë më të rënda të shqiptarëve në këto 17 vite, atë të Gërdecit. Duke folur për media të lidhura me mafian, Berisha u përpoq të mbulojë mafien shtetërore që nxirrte fitime me punën e grave dhe fëmijëve në mes të mijërave tonë municioneve në shesh të hapur në mes të Tiranës. Kryeministri Berisha ka përgjegjësinë të flasë hapur dhe jo të përbaltë punën e jashtëzakonshme të reporterëve dhe kameramanëve që mbërritën në vendin e tragjedisë përpara strukturave shtetërore”.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›