Familjeve me shtëpi të pabanuara do t’u jepen 50 mijë lekë për frymë
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave vendosi t’u japë familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekësh të rinj për frymë. Kryeministri Berisha tha se kjo shumë do të shkojë për familjet që gjenden në kushte të veçanta. “I kam kërkuar Ministrisë së Financave të miratojmë sot një vendim, me të cilin t’u japim familjeve me shtëpi të pabanuara një shumë prej 50 mijë lekësh për frymë, sepse ata, duke mos qenë në shtëpitë e tyre, kanë probleme dhe janë në kushte të veçanta. Në tërësi, si mesatare kjo përbën rreth 2 milionë lekë të vjetër për familje. Kjo masë merret për të lehtësuar situatën e veçantë në të cilën ata ndodhen”, - u shpreh kryeministri. Dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, miratoi vendimin për akordimin e një ndihme financiare prej 2 milionë lekësh të vjetër këtyre familjeve.
20 Mars 2008