E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita nis protestat, vazhdojnë kërkesat për dorëheqjen e Berishës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka ftuar të gjithë shqiptarët për të protestuar ditën e premte kundër kryeministrit Berisha dhe qeverisë që ai drejton, të cilët ishin edhe shkaktarët kryesorë të tragjedisë së ndodhur në Gërdec. “Në emër të dinjitetit tonë njerëzor e kombëtar, unë i ftoj të gjithë, pavarësisht bindjeve politike e përkatësive partiake, në një ecje të heshtur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të dëshmuar se ata dhjetëra mijëra burra, gra e fëmijë, që kanë ndërruar jetë në këto 17 vjet në punë, në rrugë, në festë, na kanë mësuar më në fund diçka pas shpërthimit apokaliptik të Gërdecit”, - tha Rama. Ndërkaq edhe Lëvizja Rinore për Integrim do të organizojë nesër një protestë kundër kryeministrit Berisha në Qytetin Studenti. Përveç paralajmërimit të protestave, përfaqësuesit e opozitës kanë vijuar me kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Kështu, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se dorëheqja e Berishës do t’i shërbejë sigurisë së jetës së shqiptarëve. “Jam përpara jush për të shprehur indinjatën e miliona shqiptareve e shqiptarëve, për sjelljen imorale të kryeministrit të vendit tonë pas një tragjedie që ndodhi jo për shkak të Zotit, po për shkak të papërgjegjshmërisë politike, paaftësisë qeverisëse dhe, siç po del në dritë nga ora në orë, për shkak të një korrupsioni të pallogaritshëm. Pikërisht si njëri ndër ju, qytetar i këtij vendi, ku jeta është e kërcënuar vijimësisht e ku qeveria është kthyer në një agjenci funeralesh vetëm e vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që e ka mbërthyer për fyti, ju ftoj të mbrojmë së bashku jetën, duke e konsideruar dorëheqjen e këtij kryeministri si të drejtën tonë për të jetuar të sigurt në atdheun tonë”, - tha kryetari i PS-së, Edi Rama. Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, deklaroi se rruga për të zbardhur të vërtetën e tragjedisë duhet të fillojë që nga dorëheqja e kryeministrit Sali Berisha. “LSI gjithnjë e më fort konsideron përgjegjësin kryesor politik dhe jo vetëm të kësaj tragjedie kryeministrin Sali Berisha, ndaj insistojmë më fort për dorëheqjen e tij. Z. Berisha duhet të dorëhiqet në mënyrë që t’i hapet rruga drejtësisë dhe që të shërohen plagët e kësaj tragjedie të re. Berisha duhet të dorëhiqet në mënyrë që të mbyllen dyert e ferrit për këtë vend dhe të hapen rrugët e Europës”, - u shpreh zëvendëskryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›