Liderët e BE-së, miratojnë formalisht aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat
Pjesëmarrja e Kryeministrit në Forumin Ekonomik të Davosit
Mirëpritet angazhimi dhe vullneti i Shqipërisë, nga vendet anëtare të unionit evropian, për të ndërmarrë hapin vendimtar për të ardhmen e vendit. Vlerësim i pakushtëzuar i kabineti “Berisha”, për ndjekjen e kursit reformator në konsolidimin e stabilitetit politik, ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor, duke inkurajuar përshpejtimin e proceseve integruese të vendit, i cili konkretizohet me dorëzimin e kërkesës në Bruksel, për statusin kandidat
TIRANE - Kryetarët e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, aprovojnë nga Davosi kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit në BE, e cila dorëzohet brenda periudhës kohore të presidencës çeke.
Njëherazi kryeministrat e BE-së, inkurajojnë gjithashtu edhe vullnetin e qeverisë, për të proceduar me shpejtësi në liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Garancitë erdhën dje gjatë takimeve që kryeministri Sali Berisha zhvilloi me homologët e tij të Belgjikës, Danimarkës, Presidentin e Lituanisë, Presidentin e Letonisë, kryeministrin e Suedisë si dhe me personalitete të tjera të politikës evropiane, të cilët shprehën vullnetin e tyre të palëkundur, për përshpejtimin me objektiva konkretë të proceseve integruese të vendit tonë.
Në vijim të axhendës së ngjeshur, në kuadër të punimeve të Forumit ekonomik të Davosit, kreu i qeverisë Berisha ishte i pranishëm në takimin privat të zhvilluar me praninë e të gjithë kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në forumin ekonomik.
Në këtë takim Berisha tha se Shqipëria është një nga vendet e pakta që ende nuk është prekur nga kriza ekonomike globale dhe për më tepër nuk rrezikon të preket shumë. Duke prezantuar situatën ekonomike në Shqipëri, kryeministri theksoi se ekonomia shqiptare në 9-mujorin e parë shënoi një rritje dyshifrore dhe në dy muajt e fundit Shqipëria arriti të nënshkruajë marrëveshje me vlerë 3.5 miliard euro në fushën e energjisë.
Kryeministri theksoi se gjatë muajit janar u pa një tendencë e rritjes së kursimeve.
Ky takim u dominua nga optimizmi dhe besimi për gjetjen e rrugëve të duhura për daljen nga kriza brenda një kohe sa më të shkurtër.
Roli i Evropës në arenën botërore ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë darkës së punës ku merrnin pjesë liderët evropianë.
Kryeministri Berisha, i ftuar të mbante një fjalë përshëndetëse gjatë kësaj darke, u shpreh se Bashkimi Evropian për Shqipërinë është një projekt-ëndërr që bazohet në tre shtylla: projekt i parezistueshëm, i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, që do të ndryshojë pozitivisht petkun social të Evropës.
Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian shprehën vlerësimet e tyre për reformat e ndërmarra në Shqipëri dhe mbështetën aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Gjithashtu Përfaqësuesit e lartë të BE-së shprehën mirëkuptimin e tyre për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, në vazhdën e plotësimit të kërkesave dhe standardeve të kërkuara.
Gjatë darkës Kryeministri Berisha bisedoi gjithashtu me analistin e njohur amerikan Farid Zakaria lidhur me krizën botërore. Kryeministri e cilësoi babëzinë njerëzore si një nga shkaqet kryesore të kësaj krize të paprecedent.
Presidentja e Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim të Japonisë
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Presidenten e Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim të Japonisë, Sadako Ogata. Kryeministri Berisha i shprehu Ogatas falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që gjithë këto vite ka gjetur tek qeveria japoneze veçanërisht në fushat themelore për zhvillimin e vendit.
Ogata shprehu vendosmërinë e Agjencinë që ajo kryeson se ky bashkëpunim me qeverinë shqiptare për projekte shumë të rëndësishme do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërsa Berisha theksoi se janë të shumta fushat ku ka potenciale bashkëpunimi dhe nevojë për ndihmë financiare konkrete nga Agjencia veçanërisht në bujqësi, në ujësjellës dhe në infrastrukturë. Kryeministri e njohu Ogatan me faktin se 30 për qind e buxhetit është destinuar për infrastrukturën, meqenëse Shqipëria ka trashëguar një infrastrukturë shumë të dobët. Në këtë kontekst kryeministri e vuri theksin veçanërisht në projektin e qeverisë për ndërtimin e infrastrukturës në zonat rurale, me ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe ujësjellësve në këto zona duke u dhënë prioritet atyre zonave ku jeton një pjesë shumë e madhe e popullsisë shqiptare.
Kreu i qeverisë tha më tej, se nëpërmjet projektit të Bankës Botërore po zhvillohet rrjeti rrugor rural duke shtuar se qeveria shqiptare do t`i ishte mjaft mirënjohëse Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim të Japonisë për çdo ndihmë financiare konkrete, por dhe asistencë dhe ekspertizë në këtë projekt që është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.
Duke e vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë të Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim të Japonisë me Bankën Botërore, Ogata tha se projekti i rrugëve rurale është një projekt shumë i rëndësishëm duke siguruar se ndihma financiare dhe me ekspertizë nga Agjencia e drejtuar prej saj do të jetë e padiskutueshme.
Presidentja e Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim të Japonisë tha se do të bashkëpunohet ngushtë me Fondin Shqiptar për Zhvillimin Rural në kuadër të zhvillimit të projektit të rrugëve rurale.
Ajo u shpreh mjaft optimiste se kjo ndihmë publike do t`i hapë rrugën shumë investimeve private nga kompani private japoneze në Shqipëri, të cilat kanë shprehur interes dhe po i afrohen tregut shqiptar.
Takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OPEC, Abdalla El-Badri
Në vijim të axhendës së punimeve të Forumit ekonomik, kryeministri Sali Berisha ka takuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OPEC-ut, Abdalla El-Badri.
Kryeministri e falenderoi El-Badri dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e përvitshme që Fondi OPEC i ka dhënë Shqipërisë në fusha të ndryshme zhvillimi veçanërisht në modernizimin e infrastrukturës dhe në disa projekte të tjera për përmirësimin e jetesës së popullatës.
Kryeministri e njohu El-Badri gjerësisht me ecurinë e Programit për Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural të qeverisë shqiptare, një nga programet prioritare të saj për ndërtimin e infrastrukturës rrugore rurale. Në këtë drejtim Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e Fondit OPEC për projektet në zonat rurale.
Nga ana e tij El-Badri vlerësoi përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga qeveria shqiptare përmes reformave dhe e siguroi ai Kryeministrin Berisha se Fondi OPEC do ta zgjerojë akoma dhe më shumë ndihmën financiare për Shqipërinë.
El-Badri u shpreh se financimi i projekteve për zonat rurale është pjesë e ndihmës që ka fondi OPEC.
Gjithashtu Sekretari i Përgjithshëm i OPEC e garantoi kryeministrin Berisha se një aspekt tjetër i rëndësishëm ku Fondi OPEC dhe ai vetë personalisht do të ndihmojë qeverinë shqiptare është kërkesa që ai do t’u bëjë Fondeve për Zhvillim të vendeve anëtare të OPEC, në mënyrë që edhe ata të ndihmojnë në zhvillimin e projekteve të tilla në Shqipëri.
Takimi me Zëvendëspresidentin e Helwet Packard, Don Grantham
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Davos një takim edhe me Zëvendëspresidentin e Helwet Packard (HP) Don Grantham.
Grantham e falënderoi kryeministrin Berisha për mundësinë e këtij takimi, në përgjigje të interesimit të madh që kjo kompani prestigjioze ka treguar për të qenë pjesë në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij për kapacitetet dhe prestigjin e Kompanisë HP në mbarë botën dhe theksoi se janë të shumta potencialet e bashkëpunimit, në kuadër të dixhitalizimit të praktikave dhe përhapjes së përdorimit të internetit në mbarë Shqipërinë.
Grantham nënvizoi se kompania HP ka një interes shumë të madh të luajë rolin e saj në një vend si Shqipëria, e cila po ndryshon me shpejtësi.
Kryeministri Berisha shtoi se tregu i punës dhe sistemi i ulët i taksave do të lehtësojë bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë HP.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë çdo hap për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin, në këtë kuadër HP do të jetë e mirëpritur të japë ndihmën dhe eksperiencën e saj në një fushë që për qeverinë shqiptare është një nga prioritetet më të mëdha.
Shqipëria, shtoi Kryeministri, nga një vend me penetrimin e internetit 4% ka shkuar në 20% dhe po punohet me vendosmëri për ta çuar vendin në moshën dixhitale. Në këtë drejtim, tha Kryeministri Berisha, kompania HP mund të japë kontributin e saj të vyer.