Një javë nga konstituimi i parlamentit të ri dhe nga bojkoti i pakuptimtë i opozitës

Bojkoti i opozitës komentohet nga mediat si i patolerueshëm
TIRANE – Java që lamë pas në planin politik shënoi zhvillime të rëndësishme për ecurinë e vendit në katër vitet e ardhshme. Disa nga momentet më të rëndësishme të politikës shqiptare për javën që po mbyllet janë konstituimi i Kuvendit të ri të Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe dekretimi i Sali Berisha si Kryeministër i vendit, nga ana e Presidentit të Republikës. Pas dreketimit, kryeministri Berisha bëri publik emrat e kabinetit të ri qeveritar.
Një javë më parë, u konstituua edhe kuvendi i ri, duke startuar punimet e Legjislaturës së XVIII, në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në legjislaturën e re, PD përfaqësohet nga 68 deputetë, PS nga 65 deputetë, LSI nga 4 deputetë, PR, PBDNJ dhe PDI me nga një deputet.
Nën tingujt e himnit kombëtar dhe në prani të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj, mbledhjen e parë të parlamentit të ri e hapi deputeti më i vjetër në sallë, Fatos Beja, i cili mbajti dhe një fjalë përshëndetëse drejtuar deputetëve të rinj.
Deputetët e Partisë Socialiste të opozitës nuk morën pjesë në këtë seancë të hapjes, sikurse edhe kishin paralajmëruar, për shkak të qëndrimit të tyre kontestues ndaj procesit zgjedhor.
Në seancën e parë u ngrit Komisioni i Përkohshëm i Verifikimit të Mandateve të 140 deputetëve, një procedurë që sipas rregullores parlamentare i hap rrugën zgjedhjes së organeve drejtuese të Kuvendit.
Ndërsa një ditë më vonë, pra të martën, 8 shtator, Kuvendi vijoi punimet me rizgjedhjen në postin e kryetares së Kuvendit, të Jozefina Topallit. Me 74 vota pro (në votim morën pjesë 75 deputetët e pranishëm në sallë), Topalli u rizgjodh kryetare e Kuvendit të ri të Shqipërisë, edhe për një mandat të dytë katërvjeçar. Në votim nuk morën pjesë 65 deputetët e Partisë Socialiste.
Kryeparlamentarja premtoi se në katër vitet e ardhshme institucioni i Kuvendit do të ketë rol primar në proceset integruese.
Po të martën, kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, reagoi pas konstituimit të Kuvendit të ri, duke ritheksuar edhe njëherë kushtëzimin për hyrjen në parlament të grupit të deputetëve socialistë.
Sipas Ramës “PS nuk mund të bëhet pjesë e një Kuvendi që ka një shumicë ilegjitime”.
Të mërkurën, 9 shtator, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në mbështetje të Kushtetutës dhe me propozim të shumicës parlamentare, dekretoi emërimin e Kryeministrit Sali Berisha, për një mandat të ri qeverisës.
Pak orë pasi Presidenti Topi e ngarkoi për formimin e qeverisë së re, kryeministri Berisha shpalli emrat e 15 anëtarëve të rinj të kabinetit qeverisës. Gjatë publikimit të tyre ai theksoi prioritetin e mandatit të dytë qeverisës, që do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe reforma në shëndetësi.
Në përbërjen e re të Këshillit të Ministrave konfirmohen 6 prej tyre: ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha merr postin e Ministrit të Brendshëm, ish-ministri i Brendshëm Bujar Nishani atë të Ministrit të Drejtësisë, ish-Ministri i Ekonomisë Genc Ruli të ministrit të Bujqësisë, Majlinda Bregu mbetet Ministre e Integrimit, së bashku me Ridvan Boden që do të vijojë drejtimin e Ministrisë së Financave, ndërsa Genc Pollo nga zv/kryeministër emërohet ministër Shteti.
Emrat e rinj në qeveri janë ato të Arben Imamit, që emërohet në postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Myqerem Tafajt në postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Gjithashtu, emra të rinj në qeverinë e z. Berisha janë dhe Ferdinand Xhaferri në postin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ai i Spiro Kserës si Ministër i Punës dhe Fatmir Mediut si Ministër i Mjedisit.
Ndërkaq në qeverinë e re u konfirmuan emrat e publikuar më parë, si pjesë e marrëveshjes bashkëqeverisëse me LSI-në, përkatësisht Ilir Meta si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm, Petrit Vasili si Ministër i Shëndetësisë dhe Dritan Prifti si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës.
Të premten, 11 shtator, u depozituan në Presidencë emrat e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar të shpallur nga Kryeministri Sali Berisha, të cilat sipas kushtetutës do të dekretohen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ky i fundit ka në dispozicion 7 ditë për dekretim e emërimeve dhe përcjelljen e tyre në Kuvend.
Po të premten u zyrtarizua “Lëvizja për Mendim Ndryshe”, brenda PS-së e iniciuar nga deputetët socialistë Ben Blushi dhe Arben Malaj, të cilët janë kundër bojkotit të Partisë Socialiste në Kuvend. Gjatë një takimi me bazën socialiste të Tiranës ata kërkuan maksimalizimin e përgjegjësive brenda së majtës për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Të shtunën, 12 shtator, në 11 vjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit, udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të vitit ’90 që solli rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, autoritete të larta shtetërore si Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përfaqësues të partive politike etj, zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora në memorialin e ngritur në nderim të tij, në Tiranë.