Uashingtoni vlerëson arritjet në zgjedhjet e 28 qershorit
Zëvendësministrja e Jashtme, Edit’h Harxhi përfundon vizitën në SHBA. Ajo deklaroi dje në një prononcim për Zërin e Amerikës se “Bojkotimi i parlamentit nga opozita nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë, por cënon vetëm imazhin e opozitës”
TIRANE – Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edit Harxhi, e cila sapo përfundoi një vizitë në Shtetet e Bashkuara, është shprehur se bojkotimi i parlamentit nga opozita nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë por vetëm imazhin e opozitës. Harxhi që përfundoi një vizitë në Shtetet e Bashkuara, shprehet se “Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s nuk mund të pranojë kurrsesi që opozita të mbetet jashtë parlamentit apo që reformat demokratike të zhvillohen jo me norma demokratike”.
Gjithashtu Harxhi vuri në dukje se Shqipëria është në pritje të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe askush nuk do të dëshironte që në vend të shihej një opozitë jashtë institucioneve demokratike, duke kërkuar diçka të paqartë. Ne, theksoi zëvendësministrja e Jashtme, kemi një qeveri të legjitimuar, një parlament të mbledhur, të rikonfirmuar, si dhe raporte të institucioneve të veçanta, duke përfshirë dhe SHBA, që flasin për arritjet e zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Në pritje të raportit përfundimtar ndërkombëtar për zgjedhjet e 28 qershorit, gjatë këtyre ditëve kam zhvilluar disa takime mjaft të frytshme në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, ku kam marrë vetëm vlerësime për sa i përket arritjeve të zgjedhjeve të 28 qershorit", shprehet zëvendësministrja e Jashtme Harxhi, duke nënvizuar se për herë të parë, dita e zgjedhjeve në Shqipëri ishte një ditë feste, me një qetësi absolute, ndoshta e krahasuar me zgjedhjet e të gjitha vendeve të tjera perëndimore. Për sa i përket numërimit të votave, Harxhi u shpreh se ka pasur transparencë të plotë në numërimin e tyre.
Deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë marrë pjesë në dy seancat e para të Kuvendit, sipas një vendimi politik të partisë, për shkak të qëndrimit të tyre kontestues ndaj procesit zgjedhor. Ata kërkojnë plotësimin e disa kushteve, mes të cilave dhe hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit. Bojkoti kontestohet nga disa deputetë të PS-së, si Ben Blushi, Arben Malaj, etj, të cilët kanë zyrtarizuar dhe “Lëvizjen për mendim ndryshe” në PS.