Manjani: Berisha nuk garanton dot sigurinë në vend
Partia Socialiste akuzoi qeverinë se nuk garanton dot ligjin e sigurinë në vend. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, gjatë një konference për shtyp nga selia rozë bëri të ditur se, “Sali Berisha nuk garanton dot rend e siguri, me polici të orientuar thjesht dhe vetëm për të vjedhur votat në zgjedhjet e ardhshme”. “Ndërkohë që rendi publik vazhdon të goditet rëndë nga ngjarje të rënda, Sali Berisha emëron në krye të policisë persona me karrierë të spikatur në vjedhjen e votave dhe persona me precedentë të njohur në shkeljet e ligjit në këtë vend. Në këto kushte, Sali Berisha nuk garanton dot rend e siguri për shqiptarët”. Sipas Manjanit, siguria në shtet nuk garantohet kur policët vihen nën urdhrat e Fazlliçit, kur nuk është kërkuar ndjesa publike ndaj Gërdecit, apo kur kreu i qeverisë sulmon Prokurorinë.