Zv/presidenti i BE-së: Po shoh një Shqipëri që po ndryshon, meritoni heqjen e vizave

Numri dy i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, u ka shprehur ministrave Bujar Nishani dhe Enkeleid Alibeaj solidaritetin për kursin e fortë reformator që e ka nxjerrë Shqipërinë nga harta e krimit dhe e moszbatimit të ligjit për ta sjellë në dyert e Bashkimit Evropian. Reformat e fundit cilësohen si argumente që duhet të çojnë në heqjen e plotë të regjimit të vizave
TIRANE - Qeveria është e vendosur që të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe te ndershëm dhe roli i policisë së shtetit ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe shoqërimin e kutive të votimit. Është kjo garancia që Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i ka dhënë Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i cili është përgjegjës edhe për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në Bashkimin Evropian, gjatë një takimi që zhvilloi dje paradite në mjediset e ministrisë.
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti Barrot i ka vlerësuar rezultatet e Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë shqiptare, si “argumente të rëndësishme për të mbërritur te heqja e vizave për qytetarët shqiptarë”.
“Është e rëndësishme gjithashtu t’u shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për t’i futur në Evropë”, deklaroi më tej, Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian.
Ministri Nishani njohu fillimisht Zëvendëspresidentin Barrot me arritjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme e korrupsionit. Gjithashtu Ministri i Brendshëm informoi mbi goditjen e të gjitha grupeve kriminale dhe vënien e rreth 900 anëtarëve të tyre para drejtësisë, ekstradimin dhe vënien para drejtësisë të rreth 250 personave, goditjen e vazhdueshme dhe uljen e ndjeshme të trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, goditjen e korrupsionit, ku tre vitet e fundit numërohen afro 200 të arrestuar, mes tyre edhe të niveleve të larta të shtetit dhe administratës, e po kështu edhe në radhët e policisë, ku numërohen rreth 115 të arrestuar për korrupsion. Nishani i kushtoi një rëndësi të veçantë në takim edhe informimit të funksionarit të lartë të Komisionit Evropian mbi punën e kryer për menaxhimin e integruar të kufirit, mbështetur në strategjinë përkatëse dhe planin e veprimit, asistencën dhe mbështetjen e Komisionit Evropian, si dhe marrëveshjet për bashkëpunim ndërkufitar dhe operacione
të përbashkëta me të gjitha vendet fqinje, duke arritur deri edhe në ndërtimin e pikave
të përbashkëta të kalimit kufitar si në Muriqan me Malin e Zi.
Ministri Nishani shpjegoi ndërkaq edhe procedurat e sigurta të kontrollit në pikat e kalimit kufitar ku sistemet e informacionit të instaluara mundësojnë identifikimin e personave në kërkim, dokumenteve të falsifikuara etj. “Duke gjykuar se duhet bashkëpunim për të qenë të suksesshëm, marrëveshjen strategjike me EUROPOL-in dëshirojmë ta pasojmë edhe me marrëveshje operacionale”, u shpreh Ministri Nishani.
Në përgjigje të interesimit të Barrot mbi strategji afatgjata veprimi dhe nevojat për asistencë, Ministri i Brendshëm informoi se Policia e Shtetit vepron mbi bazën e strategjive dhe planeve përkatëse të veprimit për luftën kundër krimit të organizuar, për menaxhimin e integruar të kufirit dhe luftën kundër trafikut të qenive njerëzore, ndërkohë u shpreh se asistenca e deritanishme ka qenë shumë e vyer dhe në vijimësi nevojitet asistencë për përgatitjen dhe përcaktimin e prioriteteve të buxhetit të policisë, trajnim dhe mbështetje teknike në veçanti për Policinë Kufitare dhe të Migracionit.
“Ju përgëzoj për këtë veprimtari dhe punë të madhe dhe ju inkurajoj për vazhdimin e saj. Ju keni një rol historik zoti Ministër sepse puna juaj ka të bëjë me imazhin e Shqipërisë, të një Shqipërie që po ndryshon. Konstatoj me kënaqësi se keni kryer një punë të madhe, keni rezultate pozitive dhe i keni gjërat në dorë. Nga ana tjetër rezultatet tuaja përbëjnë edhe argumente të rëndësishme për të mbërritur te heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Është e rëndësishme gjithashtu t’u shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për t’i futur në Evropë”, deklaroi Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian.
Barrot u interesua gjithashtu në takim edhe për përgatitjet për procesin zgjedhor.
Ministri Nishani informoi se që nga muaji tetor funksionon një regjistër unik elektronik i shtetasve, nga i cili është gjeneruar edhe lista e zgjedhësve katër muaj para datës së zgjedhjeve. Kjo listë gjendet në website-in e Ministrisë së Brendshme dhe është e afishuar në çdo bashki e komunë të vendit, ku bashkë me të dhënat e zgjedhësit është e përcaktuar edhe qendra e votimit. Po kështu ka një urdhër të Ministrit mbi procedurat për korrigjimet përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme.
Ministri Nishani informoi edhe mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, ku theksoi se brenda muajit Maj është plotësisht e mundur që të pajisen me letërnjoftime të gjithë shtetasit që nuk zotërojnë pasaportën aktuale për udhëtim jashtë shtetit. Për sa i takon rolit të Policisë së Shtetit në zgjedhje, Ministri i Brendshëm informoi se policia po trajnohet për këtë qëllim dhe roli i saj ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe shoqërimin e kutive të votimit. Zëvendës Presidenti Barrot u shpreh se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve është momenti për të dëshmuar pjekuri demokratike.
Në takim ishte i pranishëm edhe kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.