Edi Rama është kapur nga oligarkët e PP-së, që u futën vrimave në vitet ‘91-‘97
“PS e Vërtetë ‘91” konstituon forumet drejtuese. Petro Koçi akuzon kreun e PS-së
TIRANE - Drejtuesi i PS e Vërtetë ’91 (PSV ’91), Petro Koçi e ka cilësuar lidershipin e Partisë Socialiste si të kapur nga kaskiera e vjetër komuniste, bijtë e oligarkisë së Partisë së Punë, të cilët u futën vrimave nga ’91 në ’97-n.
Në mbledhjen e parë të komitetit të përgjithshëm drejtues, kreu i kësaj partie Petro Koçi tha se PSV ‘91”, do të jetë një parti e hapur dhe transparente ndaj publikut dhe komunitetit.
Duke folur rreth arsyeve që çuan në krijimin e partisë së dhe largimin përfundimtar apo shkëputjen e çfarëdo lloj lidhjeje me PS-në, Koçi u shpreh se, “në kohën kur oligarkia ka zënë për gryke kushtetutën e vendit, Kodin Elektoral, buxhetin publik të bashkisë, në kohën kur të pakontrollueshmit kanë marrë nën kontroll parti të rëndësishme në vend, u bë i domosdoshëm rithemelimi i një partie socialiste të vërtetë. Përpjekjeve tona të dhimbsura për të ndalur rrënimin e mëtejshëm të demokracisë dhe institucionalitetit në PS, ku ne kemi kontribuuar me modesti, privatizuesit e saj iu përgjigjën me pashpirtësi të djathtë. Pa harruar asnjë çast bashkëpërgjegjësitë, ne nuk mund të pajtoheshim me kapjen lidershipit të PS nga bijtë e oligarkisë së Partisë së Punës, të cilët u futën vrimave nga 91 në 97ën!”, u shpreh Koçi
Sipas tij, kur një parti bëhet e rrezikshme për demokracinë, atëherë bashkëjetesa nostalgjike me të shndërrohet në faj të pafalshëm.
Më tej, Koçi theksoi se partia e tij, do të hyjë në koalicion me socialistët e vërtetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ai prezantoi edhe sloganin e PSV ‘91 për zgjedhje që do të jetë “Për fitoren e së majtës”.