E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama po shkon në zgjedhje me koalicionin e ‘Bashkisë dhe lejeve të ndërtimit’”

Ish-kryeministri Ilir Meta, akuza kreut të PS-së për blerjen e Uruçit dhe Ormënajt

Krejtësisht të çoroditur dhe pa asnjë ide për zgjedhjet e ardhshme e ka cilësuar
dje kreu i LSI lidershipin socialist. Sipas tij është kriza e besimit që qytetarët kanë ndaj politikës së re të Edi Ramës ajo që të detyron këtë të fundit të përdorë korrupsionin si mjetin e dëshpëruar me të cilin shpresohet se do të dobësojë rivalen e PS brenda së majtës

TIRANE - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka reaguar për herë të parë personalisht ndaj largimit të dy drejtuesve lokalë të kësaj force në Shkodër dhe Urën Vajgurore duke akuzuar në mënyrë direkt kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se i ka blerë ata përmes flukseve financiare nga lejet e ndërtimit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Meta duke iu referuar turit paraelektoral që ka ndërmarra në bazë krysocialisti Rama deklaroi se “disa po përdorin populizmin gjoja politik dhe shtetar si një alibi për dështimin e tyre por njëkohësisht si tregues të mungesës së identitetit, si frikë dhe kompleks nga identiteti i të majtës, si mosbesim ndaj saj, por edhe si paradhomë për autoritarizmin”.
“Hipokrizisë së kësaj politike, vijoi më tej lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, po i del çdo ditë boja ashtu  sikurse dhe fasadave në qendër të Tiranës. Kjo çoroditje e tyre, por edhe identiteti ynë gjithnjë edhe më i fortë, rritja e besimit që kanë njerëzit ndaj LSI-së, i detyron sekserët e Kryetarit të PS-së, që këdo përfaqësues të LSI-së që i del përpara, ti premtojë leje ndërtimi dhe para kesh në dorë, pikërisht për të shtuar radhët e asaj që tashmë quhet Koalicioni i ‘Bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit’. Ndaj neve nuk na vjen aspak keq për këtë rrugë që ata kanë zgjedhur, pasi i kemi paralajmëruar prej kohësh që rruga e kapjes është rruga e dështimit. Por padyshim që nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për përdorimin e neveritshëm, të ndonjërit që më parë ka aderuar edhe në këtë forum të nderuar, sikurse është dhe rasti i zonjës Uruçi. Kjo pa pikë turpi del në televizion dhe thotë që me Ilir Metën ndan pikëpamje të ndryshme. Ju e dini të gjithë që ajo ka qenë prej tre vitesh këtu si gjithë ju, dhe nuk besoj që keni dëgjuar ndonjë pikëpamje të ndryshme të saj jo vetëm me Ilir Metën por me secilin prej jush”, nënvizoi ai.
Kreu i LSI-së tha se forca që ai drejton nuk ndalon “askënd që të shitet për tre aspra, dhe aq më tepër nuk pranojmë askënd që vë kushte në LSI, se po nuk qe i pari në listat për deputet do të bëhet qameti. Sepse vetë Kryetari i LSI-së nuk ka qenë i pari në listën për deputet në 2005-ën, besoj se e mbani mend që nuk e kam pasur fare emrin në listën e partisë dhe as kam ndërmend të jem i pari në listën për deputet edhe në zgjedhjet e 28 Qershorit, sepse mendoj se LSI-ja është krijuar në funksion të qëllimeve shumë më të mëdha sesa për të garantuar Ilir Metën apo cilindo tjetër që ka frikë nga e ardhmja, që nuk shikon përtej momentit, dhe për më tepër që shitet fare lirë. Raste të tilla nuk na shqetësojnë, pasi histori të tilla janë të vjetra sa vetë historia. Ashtu sikurse nuk mund të refuzojmë të vijnë në LSI me qindra dhe me mijëra anëtarë dhe simpatizantë, jo vetëm të Partisë Socialiste, por edhe të partive të tjera të cilët vijnë tek ne vetëm për arsye besimi dhe bindjesh, sepse ne nuk japim as leje ndërtimi, nuk japim as licenca, nuk japim as tendera. Ne ofrojmë besim dhe moral krejt të ndryshëm nga ai i partive të vjetra”- u shpreh kreu i LSI-së. Më tej, Meta u ndal edhe ne rreziqet që sjell për ekonominë vendase kriza financiare globale. Për këtë arsye ai shtoi se situata aktuale nuk mund të fshihet, por ajo kërkon masa energjike nga ana a qeverisë aktuale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›