E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama fobi ndaj kartave të reja elektronike”

24/03/2009  Partia Demokratike shprehet për pozitën e kreut të PS-së

Demokratët shprehen të bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit

Për Partinë Demokratike kryetari i Partisë Socialiste tashmë po vuan nga një sëmundje e re: “fobia ndaj kartave të reja të identitetit”. Zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani pak minuta pasi kreu i PS-së Edi Rama rikërkoi shpërndarjen falas të kartave të reja të identitetit për njerëzit në nevojë, deklaroi sindromën e re prej së cilës po vuan Rama. “Kryetarit të Partisë Socialiste i ka lindur edhe një sindromë e re: ajo e frikës së letërnjoftimeve të reja elektronike. Thirrjes së kryeministrit të vendit drejtuar atij për të shkuar në zyrat e tyre përkatëse të gjendjes civile dhe për të bërë aplikimin për letërnjoftimet e reja, për të dhënë shembullin e tyre dhe për t’u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë për të marrë këto dokumente si dëshmi të përgjegjësisë së tyre qytetare dhe të vullnetit të tyre për të pasur dokument identifikimi, dokumentin më modern në Europë dhe si kusht kryesor për liberalizimin e vizave, thirrjes së kryeministrit shqiptar për të dhënë shembullin e tyre personal, zoti Rama tregoi se nuk ka ndër mend t’i përgjigjet, dhe kjo vjen për shkak të fobisë së tij jo vetëm ndaj kartave elektronike”, - ka deklaruar Bogdani. Zëdhënësi i Partisë Demokratike nënvizoi se frika që ka pushtuar numrin një të Partisë Socialiste vjen edhe prej humbjes në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “Fobia e tij vjen edhe ndaj votave të 28 qershorit, që do ta shndërrojnë zotin Rama veçse në kryetarin e dështuar të partisë së dështuar të Bashkisë”, - deklaroi Bogdani. Dy ditë më parë kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp i kërkoi kundërshtarit të tij politik që të dalin në të njëjtën orë në zyrat përkatëse të gjendjes civile për tu bërë apel qytetarëve të pajisen me kartat e reja të identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›