E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Unë në NATO paralajmëruesja e anëtarësimit të Shqipërisë

Maratona Unë në NATO e zhvilluar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ka qenë forma në të cilën kryetarja e Kuvendit ka festuar me fëmijë të shkollave të kryeqytetit në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në fakt kjo është maratona Unë në NATO, sepse secili prej jush, brenda dhjetë ditëve, do të jetë në NATO. Kjo do të thotë që çdo shqiptar, çdo qytetar , çdo burrë, çdo grua do të ndjehet më i sigurt. Ju të gjithë jeni kampion, iu drejtua, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, qindra fëmijëve. Kjo është një nismë e parlamenti, në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen gjatë këtyre javëve për NATO-n, këtë herë krejt e veçantë: nxënësit do të garonin në bulevard si simbolikë e vrapit të Shqipërisë drejt NATO-s. Veshur me bluza blu të shënjuara me stemën e Aleancës, mbi to shkruhej Unë në NATO. Ne ndjehemi krenarë që në një periudhe rekord, kemi bërë të mundur, atë që dukej e parealizueshme vetëm pak vite më përpara.  Ky është premtimi që ne I kishim dhënë prindërve tuaj; ky është premtimi që ne mbajtëm për ju. "Unë në NATO" sot është realitet, është realitet për fëmijët e shkollës, është realitet për prindërit tuaj, është realitet për vendin tonë, u shpreh kryetarja e Kuvendit. Gjithashtu për fituesit e maratonës, Topalli ka shpërndarë për secilin fëmijë kupa. Kupa që u morrët, është kupa që prindërit tuaj marrin në 4 prill, ku Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Gjëja më e rëndësishme është për prindërit tuaj, që fëmijët e tyre në të ardhmen do të kenë jetën e sigurt, atdheun e sigurt dhe me më shumë shanse, u shpreh ajo. Më pas kryetarja e kuvendit së bashku me fëmijët është drejtuar për një vizitë në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Javën që vjen, më datat 3-4 prill, Gjermania dhe Franca presin së bashku samitin e radhës së Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në këtë samit, pas përfundimit të ratifikimit prej parlamenteve të vendeve anëtare të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë, vendi ynë do të bëhet zyrtarisht anëtar i Aleancës me të drejta të plota. Në kuadër të kësaj ngjarjeje të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar, po organizohen një numër aktivitetesh që synojnë shtimin e informacionit në shtresa të ndryshme të popullsisë për natyrën dhe rolin e Organizatës. Një prej këtyre aktiviteteve është edhe maratona e emërtuar Unë në NATO, që u zhvillua sot me nxënësit e shkollave 9-vjeçare të Kryeqytetit, organizuar me nismën e Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›