E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ: Partitë, të dorëzojnë emrat për KZAZ

Ristani: PS e PR po bllokojnë procesin 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i bën thirrje partive politike të dorëzojnë propozimet e tyre për anëtarë të komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve. Megjithëse ka kaluar afati ligjor për ngritjen e këtyre komisioneve, socialistët dhe republikanët nuk kanë paraqitur ende emrat e anëtarëve të tyre. Katër partitë që kanë të drejtë të kenë anëtarë në komisione duhet t'i kishin depozituar emrat që më datën 13 mars, ndërkohë që brenda këtyre dy ditëve ato duhet të ngrihen në 12 qarqet e vendit. Por KQZ nuk mund të veprojë, pasi është në pritje të emrave të socialisteve dhe republikanëve. Një fakt të tillë e ka vënë në dukje gjatë mbledhjes djeshme të Komisionit Qendror të zgjedhjeve, kryetari Arben Ristani, ku sipas tij këto dy forca politike po bllokojnë procesin duke mos dorëzuar emrat në përbërje të KZAZ-ve. Ristani i ka kërkuar Partisë Socialiste dhe Partisë Republikane, që të dorëzojnë sa më parë emrat e propozuar prej tyre për në këto komisione. KQZ bën të ditur se brenda 27 marsit, duhet të bëhet përzgjedhja për anëtarët e komisioneve zonale. "Pa konstituimin e këtyre komisioneve nuk mund të nisë puna për përgatitjen e procesit zgjedhor. Ne po bëjmë paralajmërimet, por deri tani nuk na kanë ardhur, ndaj do të ketë kërkesa të tjera nga KQZ-ja, ka deklaruar kreu i këtij institucioni, Arben Ristani. Komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, shkurt KZAZ, janë direkt pas KQZ-së niveli i dytë i administrimit të zgjedhjeve. Në rang republike, do të ketë gjithsej 66 KZAZ, ku njësoj si në KQZ, anëtarët propozohen nga partitë: Demokratike, Socialiste, Republikane dhe Social-Demokrate.
Miratohet numërimi i zonave të qendrave të votimit
Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar në parim edhe udhëzimin, i cili ka si qëllim numërimin e zonave të qendrave të votimit. Numërimi i zonës së qendrës së votimit do të bëhet me anë të një numri katërshifror. Numërimi do të fillojë nga njësia e qeverisjes vendore në veri të vendit dhe konkretisht nga qendra e votimit me numër 0001 e komunës Gruemirë në Shkodër dhe do të vijojë në mënyre progresive në drejtimin veri-jug të vendit deri në zonën e qendrës së votimit me numër 4724 në komunën Xarë të Sarandës. Zona e qendrës së votimit duhet të jetë brenda një territori kompakt e të pashkëputur gjeografik dhe numri i zgjedhësve për çdo qendër votimi nuk mund të jetë më i vogël se 150 dhe më i madh se 1000 zgjedhës me përjashtim të institucioneve të posaçme ku qendrat e votimit mund të ngrihen edhe kur në të ndodhen të paktën 15 zgjedhës. Kufijtë e zonave të qendrave të votimit dhe numri i tyre do caktohen sipas këtij udhëzimi nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore. Ndërkohë detyrat e përcaktuara në këtë udhëzim për Bashkinë e Tiranës do të ushtrohen nga kryetarët e njësive vendore. Në vend, në total KQZ jep një shifër prej 4374 qendrash votimi.
Miratohen masat e sigurisë në zgjedhje
Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja miratoi edhe projektvendimin Detyrat e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ushtrisë në zgjedhjet për Kuvendin e 2009. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe rolin e policisë dhe të ushtrisë në zgjedhje, një tjetër pikë e ndjeshme që ka shoqëruar proceset e shkuara zgjedhore. Aktivizimi i tyre mund të kërkohet në raste të veçanta dhe me miratimin e KQZ-së. Rendi dhe siguria gjatë periudhës zgjedhore do të ruhen nga Policia e Shtetit, ku personeli i atashuar pranë objekteve zgjedhore duhet të mbajë dukshëm këtë dokument identifikimi. Po ashtu, përjashtohet policia kriminale nga shoqërimi i kutive të votimit, kurse për përdorimin e makinave private, Policia e Shtetit do të paraqesë në KQZ, listën e makinave dhe shenjat dalluese, 10 ditë para zgjedhjeve. Gjithashtu, ndalohet përdorimi i forcave komando dhe forcave të tjera të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, ose në zëvendësim të punonjësve të policisë së objekteve. Kopje e urdhrit me shkrim i dërgohet KQZ-së 5 ditë, kur lëvizja është e planifikuar dhe menjëherë për rastet e veçanta. Përveç debateve teknike, vendimmarrja u mor me konsensus nga anëtarët e KQZ-së.

Last Updated on Monday, 23 March 2009 21:33

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›