“Edi Rama i quan socialistët siç quante Enver Hoxha Beqir Ballukun”

Kastriot Islami
Deputeti dhe njëherazi Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, e konsideron alarmante situatën politike brenda selisë rozë. Islami, sqaroi pjesëmarrjen e tij në punimet e seancës me veprimin simbolik prej disa javësh, për thyerjen e bojkotit nga grupi parlamentar socialist.
“Jam këtu në parlament në mënyrë simbolike për të vazhduar thyerjen e bojkotit që vazhdon opozita shqiptare si dhe për të dhënë një mesazh tjetër, pas deklarimit të deputetëve evropianë për t’u futur në normalitet, me shpresën se grupi parlamentar socialist do të jetë së shpejti në Parlamentin shqiptar. Natyrisht duke mos marrë përsipër sidomos në vendimmarrje delikate, për të zhvilluar të gjithë veprimin opozitar, por duke pritur që e gjithë opozita do të vijë dhe do të zhvillojë të gjitha ato veprimtari alternative dhe konstruktive opozitare njëkohësisht edhe të fuqishme”, tha Islami.
Ai ironizoi intervistimin e mbrëmshëm të Edi Ramës në emisionin ‘Top Story’ të Sokol Ballës, duke u shprehur se s’ishte asgjë më shumë se veç një auto-intervistë.
Sipas Islamit, Rama po tenton t’i quajë renegatët e partisë siç quante Enver Hoxha renegatin Beqir Balluku.
“Më duhet të vija edhe për një arsye fare të thjeshtë, banale i surprizuar pak sot, kur edhe po hartohet një ligj modern për median shqiptare, po përgatitet një seancë në emisionin ‘Top Story’, ku zoti Rama do të vetë pyetet me ndonjë pyetje të paraqitur nga zoti Sokol Balla. Dhe e them me seriozitet se erdha për t’u tallur me këtë lloj auto-pyetje dhe këtë lloj pyetje, ku do të pyetet se, a mundet më që, renegatë të tipit të Islamit të jenë prezentë në PS? Doja t’i përgjigjesha në mënyrë fare të qetë, duke i thënë se Rama nuk do i përgjigjet Sokol Ballës me një përgjigje të tillë sepse terminologjia është ajo e diktaturës komuniste, me një përgjigje të tillë që Enver Hoxha ka dhënë në rastin e renegatit Beqir Balluku”, tha Islami.
Ai vuri në dukje se Partia Socialiste e ka të gjithë potencialin e saj, pavarësisht nga pakënaqësia lidhur me rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës, për të vazhduar të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar në radhë të parë, sepse është një parti që nuk e meriton një marrëdhënie të tensionuar me ndërkombëtarët.
Kastriot Islami nuk ka marrë pjesë në debatet parlamentare apo në votimet e ligjeve, që u kaluan në Kuvend pasi siç tha ai kishte shkuar simbolikisht në Kuvend, për të vazhduar thyerjen e bojkotit të opozitës dhe me shpresën e vetme të rikthimit të grupit parlamentar socialist në Kuvendin e Shqipërisë.