“Ka rezultate pozitive në hetimin dhe parandalimin e krimit ekonomik”

Ministri i Financave Ridvan Bode
Kreu i Financave Ridvan Bode deklaroi dje në mbyllje të programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, se përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik kanë qenë eficente vitet e fundit. Sipas ministrit Bode, për sa i përket krimit ekonomik është rritur cilësia e hetimit dhe ky program po funksionon me sukses.
“Evidentojmë se programi po funksionin me sukses. Ka rritur cilësinë e hetimeve dhe përballjen me krimin, është krijuar një klimë e përshtatshme për hetimin e parandalimin e krimit”, u shpreh ai. Ministri i Financave paralajmëroi se duhen ndërmarrë masa konkrete për parandalimin dhe goditjen e krimit ekonomik-financiar, krimit të organizuar e korrupsionit.
“Lufta kundër krimit ekonomik-financiar dhe pastrimit të parave që rrjedhin nga krimi i organizuar e korrupsioni bëhet gjithnjë e më komplekse, prandaj duhen ndërmarrë masa konkrete dhe dinamike në drejtim të legjislacionit për parandalimin dhe goditjen e këtyre veprave, për forcimin e kapaciteteve njerëzore, trajnimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, analistëve, ekspertëve financiarë, e punonjësve të tjerë që japin mbështetjen dhe kontributin e tyre të menjëhershëm, për luftën kundër kurimit të organizuar dhe pastrimit të parave”, tha më tej kreu i Financave, Ridvan Bode.