“Të turpshme sulmet e Ramës ndaj trupës së Kolegjit Zgjedhor”

Reagon Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka reaguar pas akuzave të hedhura nga kreu opozitar Edi Rama dy ditë më parë në një dalje të tij për mediat. Kryeparlamentarja i cilësoi të turpshme sulmet e kryesocialistit se pse ata zbatuan vullnetin e qytetarëve të Tiranës, të cilët kishin vendosur për largimin e Edi Ramës nga bashkia me vullnet të lirë dhe demokratik. Nga foltorja e Kuvendit Topalli i kujtoi kreut të opozitës Edi Rama se akuza për afera korruptive dhe ryshfet në radhë të parë rëndojnë mbi të. “Antiparlamentarët e opozitës kanë filluar sulmet ndaj gjyqtarëve të Kolegjit duke akuzuar se ato kanë marrë miliona euro. Në fakt, të sulmosh pa reshtur drejtësinë, shtetin, të sulmosh përmes shantazheve, shpifjeve dhe trillimeve, është tepër e rëndë. E në mënyrë të veçantë kur kjo ndodhë nga lidershipi i një partie opozitare. Rama njihet si 20 për qind dhe sulmoi 8 gjyqtarë duke i thënë se kanë marrë miliona euro”, u shpreh Topalli, në seancën e djeshme plenare. Sipas saj, e vërteta dhe faktet treguan se shqiptarët e përzunë zotin Rama nga bashkia me vullnet të lirë dhe me proces transparent. “Shpifjet dhe trillimet e tij janë e kundërta e së vërtetës dhe fakteve. E vërteta dhe faktet treguan se shqiptarët dhe qytetarët e Tiranës e përzunë zotin Rama nga Bashkia dhe e përzunë me vullnet të lirë, në një proces transparent, në një nga proceset më kompetitive dhe në një nga proceset zgjedhore, në të cilët vullneti i shqiptarëve u përcaktua në mënyrën më të fortë dhe më të qartë”, theksoi ajo. Duke iu referuar ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, kryetarja e kuvendit u ndal gjithashtu edhe tek antiparlamentarizmi i opozitës. Këto ditë, antiparlamentarët e opozitës nuk kanë reshtur së sulmuari projektin e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, me shpifje, thashetheme, pa fakte, pa të vërteta. Topalli pohoi gjithashtu se antiparlamentarët e opozitës kanë mësyrë këto ditë edhe Kryetaren e Parlamentit. “Nuk u jam përgjigjur, nuk do t’u përgjigjem as sot, sepse unë mendoj që, sa herë ka shpifje, shqiptarët shohin faqen e zezë të antiparlamentarëve”. Më tej kryeparlamentarja Topalli vuri theksin edhe te sulmet që ka ndërmarrë opozita ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Sot unë kam dalë këtu për një çështje tjetër, sepse gjatë këtyre dy muajve, por edhe ditët e fundit, dhe kryesisht mbrëmë, antiparlamentarët e opozitës kanë filluar sulmet ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke arritur në halucinacione, duke i akuzuar këta gjyqtarë se kanë marrë miliona euro. Në fakt, të sulmosh pa reshtur drejtësinë, të sulmosh pa reshtur shtetin, të sulmosh përmes shantazheve, përmes shpifjeve, përmes trillimeve, është shumë e rëndë, dhe në mënyrë të veçantë kur kjo ndodh nga lidershipi i një partie opozitare. Kush i sulmoi tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor? Si i sulmuan? – ngriti pyetjet kryetarja e kuvendit Topalli. Ajo theksoi se Rama njihet në mediat ndërkombëtare si 20-përqindëshi dhe mister 20-përqindëshi, dje sulmoi tetë zonja dhe zotërinj, tetë gjyqtarë, tetë përfaqësues të sistemit të drejtësisë, duke i akuzuar se kanë marrë miliona euro. Po ashtu ajo shtoi se Mister 20-përqindëshi prej vitesh ka ecur vetëm në bazë të një doktrine, të doktrinës të 20-përqindëshit, të doktrinës së ryshfetit, të doktrinës së frikësimit, të frikës dhe të kërcënimit, dhe mendon se kështu mund të realizojë qëllimet e tij edhe ndaj drejtësisë dhe gjyqësorit”, përfundoi Topalli.