Kolegji vendos sot për mandatet e këshillit Bashkiak të Tiranës
Selia blu depozitoi të martën ankimimin në Kolegj sepse KQZ nuk arriti të miratojë shpërndarjen e mandateve, pasi nuk u arrit shumica e cilësuar prej 5 votash
Edhe sot Kolegji Zgjedhor i Apelit do ketë në duart e vendimmarrjes një tjetër ankimim të partive politike. Por këtë herë kërkesa i takon Partisë Demokratike, e cila iu drejtua Kolegjit me qëllim shpërndarjen e mandateve të këshillit bashkiak të Tiranës.
Arsyeja është e thjeshtë; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë aktin për shpërndarjen e mandateve për anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke shtyrë në këtë mënyrë edhe momentin e marrjes së detyrës nga kryebashkiaku i ri, Lulëzim Basha.
Me katër vota “pro” dhe dy kundër, KQZ-ja nuk ka mundur t’i japë vlerë aktit të saj, për shkak se në bazë të Kodit Zgjedhor, ndarja e mandateve duhet të bëhet me të paktën 5 vota “pro”. Për këtë arsye, kësaj here, si palë e interesuar ka qenë PD-ja, e cila i ka kërkuar formalisht Kolegjit Zgjedhor shpërndarjen e mandateve, sipas përllogaritjes së KQZ-së, ku koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 këshilltarë dhe “Aleanca për të Ardhmen” 27 të tillë.
“PD-ja ka kërkuar në KQZ aktin e rrëzuar, për ta kaluar atë më pas për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor. KQZ, përmes aktit të shpërndarjes së mandateve dhe për faktin që askush nga palët nuk pati ankesa ose shqetësime në raport me shpërndarjen e këtyre mandateve e quan të mbyllur si procedurë”, tha një ditë më parë zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli.
Kërkesa drejtuar Kolegjit Zgjedhor është konfirmuar edhe nga përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti. Nga ana tjetër, PS-ja ka argumentuar arsyen e mungesës së një nisme të tillë.
“KQZ-ja ka miratuar një tabelë përmbledhëse në kundërshtim të hapur me ligjin. Edhe mund ta kishim ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, por nuk e bëmë për arsye se siç edhe u shprehëm në KQZ, Kolegji Zgjedhor për rastet e komunave merr vendime të drejta, ndërsa rasti i bashkisë së Tiranës është një peshë, që ata asnjëherë nuk kanë dashur dhe tentuar ta marrin përsipër për të zgjidhur problemin”, ka deklaruar Eridion Salianji, përfaqësues ligjor i PS-së në KQZ.
Megjithëse në tabelën përfundimtare të rezultatit për këshillin bashkiak, KQZ-ja përllogariti të gjitha votat e gjetura në kutitë e gabuara, socialistët u shprehën kundër, duke kërkuar që votat e gjetura të shpërndaheshin në tabelat e çdo qendre votimi.
Në anën tjetër, demokratët u shprehën se përfaqësuesit e majtë, pavarësisht se votuan kundër tabelës së rezultatit, ata nuk e ankimuan atë në Kolegj, (duke e lënë në fuqi), çka bën që ajo të jetë ligjore dhe për rrjedhojë dhe ndarja e mandateve e rregullt. Vendimi i Kolegjit për shpërndarjen e mandateve pritet të mos sjellë surpriza, sa kohë që vetëm pak ditë më parë, Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e PD-së, urdhëroi shpërndarjen e mandateve për këshillat minibashkiakë të Tiranës.
Në mungesë të PS-së (e cila nuk pranoi të merrte pjesë), Kolegji urdhëroi në unanimitet shpërndarjen e mandateve për këto këshilla, sipas përllogaritjes së bërë nga KQZ-ja, në bazë të rezultatit të secilës prej KZAZ-ve. Shorti përcaktoi relatorë Neriban Mullain, ndërsa anëtarë të tjerë të trupës së gjykimit do të jenë Entela Prifti, Tomë Ndreca, Petraq Dhimitri dhe Astrit Kalaja. Ndërkaq, ndarja e mandateve të Këshillit Bashkiak ka një lidhje të drejtpërdrejtë me ceremoninë e betimit që do të bëjë kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Sipas ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”, kryetari i Bashkisë bën betimin 20 ditë pas shpalljes së rezultatit përpara Këshillit Bashkiak. Nëse ndarja e mandateve për Këshillin do të bëhet brenda 28 korrikut, Basha do të dalë përpara 55 këshilltarëve për t’u betuar. Në të kundërt ai do të betohet përpara prefektit të Tiranës.
Këshilli Bashkiak i Tiranës
Aleanca për Qytetarin 28 mandate
PD 19 mandate
LSI 5 mandate
PDIU 2 mandate
PR 1 mandat
PLL 1 mandat
Aleanca për të Ardhmen 27 mandate
PS 25 mandate
PDS 1 mandat
PSV 91 1 mandat
Kushtetuesja rrëzon ankimimin e pensionistëve
Gjykata Kushtetuese i pret shpresat Partisë Socialiste, për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 8 majit. Shkak është bërë ankimimi i Partia e Bashkuar e Pensionistëve Shqiptarët, pjesë e koalicionit të majtë.
Pasi kërkesa e tyre mori vlerësimin negativ nga Kolegji Zgjedhor i Apelit, Pensionistët iu drejtuan Kushtetueses. Kjo e fundit, në vendimin e publikuar dje rrëzon ankimimin e PBPSH-së, si të pabazuar në ligj.
Partia e Bashkuar e Pensionistëve Shqiptarë, kërkoi pezullimin e certifikimit të zgjedhjeve lokale në Tiranë. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese, do të marrë vendimin për shfuqizimin e neneve 69, 70 e 87 të Kodit Zgjedhor, që për pensionistët janë antikushtetuese pasi diskriminojnë kandidimin e partive në zgjedhje.